Kreu i opozitës Edi Rama nga mbledhja e grupit parlamentar deklaroi se
Partia Socialiste nuk ka asnjë dilemë,  që imunitetet duhen hequr, por
sipas tij ‘nuk duhet të vrapojmë drejt arnimeve kushtetuese, siç ndodhi 4
vjet më parë’.

Vullnetin e opozitës për heqjen e imuniteteve, zoti Rama e ilustroi me shembullin e deputetëve Balla, Doshi dhe Baraj, të cilët lanë imunitetin për llogari të hetimeve të Prokurorisë, që lidhen me rolin e tyre në ngjarjen e 21 janarit.

“Imuniteti i deputetëve dhe i zyrtarëve të lartë duhet hequr apo kufizuar, sipas një zgjidhjeje të qartë kushtetutese dhe ligjore. Pra për ne nuk ka dilemë nëse duhet hequr ose kufizuar apo jo imuniteti. Padiskutim po. Kështu që, propaganda e Kryeministrit kundër opozitës, sikur jemi ne pengesë për heqjen e imunitetit, më vjen keq ta them, por është realisht e pështirë. Patjetër ta heqim apo ta kufizojmë imunitetin, por askush të mos presë edhe të mos të mendojë se PS do ndërhyjë në Kushtetutë me nxitimin që ndërhyri katër vite më parë”, tha Rama.

Top Channel kërkoi të mësojë, s cili do të jetë qëndrimi i PS-së ndaj projektligjit të propozuar disa ditë më parë nga një grup deputetësh të mazhorancës për këtë çështje.

Zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj tha se PS ka qasje tjetër nga Partia Demokratike dhe do të ftojë PD-në të votojë qasjen e PS-së. Të dyja palët janë dakord se duhet hequr imunitet, por jo për mënyrën se si duhet ndërhyrë në Kushtetutë në këtë rast.

Sikurse edhe një javë më parë, Edi Rama ka folur edhe për atë që opozita, e cilëson si skandalin e shitjes së  armëve në Ministrinë e Mbrojtjes, përfshi pretendimin se Shërbimi Informativ i Ushtrisë është përfshirë në përgjime ilegale.

“Ministri për Mbrojtje Arben Imami refuzoi kontrollin parlamentar në Ministrinë, që është kthyer në fole parash dhe punësh të pista. Cfarë synon të fshehë Arben Imami, duke penguar deputetët e opozitës të ushtrojnë detyrën e tyre Kushtetuese? Ne e dimë mirë se çfarë fsheh, sepse kemi të gjitha informacionet e besueshme për të besuar se në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë aktualisht sundon një korrupsion, që është bërë shqetësues edhe për vetë aleatët e Shqipërisë në NATO. Ashtu sikundër kemi informacion të besueshme nga brenda Ministrisë së Mbrojtjes se trafiku i sapozbuluar i armëve është vetëm maja e ajsbergut e një veprimtarie të paligjshmë, që shtrihet deri në përdorimin e mjeteve të Ushtrisë për përgjime me natyrë të mirëfilltë politike”, tha Rama.

Zoti Rama i është kundërpërgjigjur Kryeministrit Berisha ndaj akuzave të përsëritura se PS është e kapur nga një grup miliarderësh. Kryesocialisti, disa herë gjatë fjalës së tij artikuloi termin “Këshilli Miliarderëve”, kur u shpreh se “në Shqipëri ka vetëm një Këshilli i Miliarderësh dhe ky është Këshilli i Ministrave me në krye Sali Berishën”.

Top Channel