Hida: Rënia ekonomike e përkohshme

10/07/2012 00:00

Ekspertët e maxhorancës thonë, se ekonomia shqiptare i ka mundësitë për
të shmangur recesionin, pavarësisht shifrave negative të tremujorit të
parë.

“Në këtë situatë, ku ndodhet ekonomia shqiptare është normale një situatë, e cila ka një kontraktim të ekonomisë në tremujorin e parë. Nuk është ndonjë lajm qe nuk pritej, por përsëri kjo nuk do të thotë që tremujori i vitit 2012 do të përcaktojë gjithë ecurinë ekonomike të vitit 2012. Ekonomia shqiptare duke qenë një ekonomi me bazë të ulët ka shumë hapësira për të patur një rritje ekonomike pozitive në 9 muajt e mbetur”, thotë Sybi Hida, deputet i PD-se.

Sybi Hida thotë se janë dy sektorë, të cilët përtej krizës, këtë vit pritet të kenë një ecuri të mirë, duke ndikuar pozitivisht rritjen ekonomike, ndonëse pranon se ajo do të jetë poshtë pritshmërive dhe parashikimeve fillestare.

“Duke patur parasysh disa sektorë, siç është energjia dhe bujqësia, mendoj që viti 2012 do të jetë me një rritje pozitive, por jo aq sa parashikohet e aq sa presin parashikimet tona”, tha Hida.

Një ditë më parë Instituti i Statistikave raportoi se Prodhimi i Brendshëm Bruto u kontraktua me 0.2 për qind, për herë të dytë në një tremujor, që pas vitit 2009. Rënia e diktuar kryesisht nga tkurrja e prodhimit industrial dhe thellimi i krizës në ndërtim konfirmoi gjendjen e vështirë të ekonomisë, që në tremujorin e parë vec përhskallëzimit të krizës së Eurozonës u ndikua edhe nga kushtet klimaterike të rënduara.   

Top Channel