Cruise-Holmes, arrijnë marrëveshjen e divorcit

10/07/2012 04:25

Sipas konfirmimeve të përfaqësuesve të dy yjeve të Hollivudit, Tom Cruise dhe Katie Holmes kanë arritur një marrëveshje për të zgjidhur divorcin e tyre.

“Cështja është zgjidhur ndërsa një marrëveshje është nënshkruar”, tha avokati i Holmes, Jonathan Wolfe, në një deklaratë për revistën “People”.

“Ne jemi të kënaqur për Katie-n dhe familjen e saj”, shtoi ai.

Ndërkohë një zëdhënëse e Cruise konfirmoi zgjidhjen me anë të një e-mail për agjencinë e lajmeve Reuters ku thuhej: “U krye”.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar më herët të hënën, çifti tha se ata ishin duke punuar së bashku për të zgjidhur kujdestarinë e vajzës së tyre, 6-të vjecare, Suri, që dukej se ishte edhe cështja kryesore e ciftit.

“Ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku si prindër për të përmbushur atë që është në interesin më të mirë të vajzës sonë Suri”, lexohet në deklaratë.

Pak ditë më parë, aktori hollivudian dhe Holmes bënë publik vendimin për t’u divorcuar. Burime pranë çiftit thanë në mediat amerikane se “shqelmin” e fundit martesës së tyre në krizë ia dha debati mbi edukimin fetar të vajzës, Suri.

Top Channel