Në debatin e hapur për ndryshimet në gjuhën shqipe, Drejtori i Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë Valter Memisha deklaron se nuk mund të bëhen propozime në erë, por më parë duhen realizuar studime.

Sipas tij, ndryshimet i vendos një konferencë e posaçme dhe ato duhen bërë me limë dhe jo me sqepar. Pas intervistave me zotërinjtë, Kolec Topalli dhe Rami Memushaj, gazetarja Alma Demiraj sjell intervistën me zotin Valter Memisha.

Top Channel: Profesor ka nisur prej ditësh një diskutim për ndryshimin e disa rregullave të drejtëshkrimit lidhur me disa rregulla të “Ë” mbështetëse dhe “Ë” fundore. Ju jeni për këto ndryshime?

Profesor Valter Memisha, Drejtor i Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë: Fakti është që Kongresi i Drejtëshkrimit me parimet dhe normat që ka përcaktuar, ndër të tjera ka edhe shumë përjashtime. Ne duam që këto përjashtime gati-gati të mënjanohen, plotësisht s’ka mundësi, por siç ka thënë edhe një profesor para disa ditësh, ne nuk duhet të marrim sqeparin për të gdhendur, por limën për ta latuar. Ka gjëra që duhen parë, për mendimin tim. P.sh “pikë” shkruhet më “ë” dhe “bashkë” po me “ë”, kur krijohet mbiemri “i përbashkët”, është “ët”, kurse “i përpiktë” “ë” kalon pas “t”, “pikë” dhe “bashkë” janë të dyja me “Ë”, përse njëra duhet të shkruhet “i përbashkët” e njëra “i përpiktë”?

Top Channel: Meqenëse kemi fjalën “anëtar” të cilën profesor Topalli propozon që le të bjerë “Ë” dhe ta shkruajmë “antar”. Ju në këtë fjalë, mendoni se duhet të bjerë, apo duhet të shkruhet “anëtar”?

Profesor Memisha: Unë jam i mendimit të shkruhet “anëtar”. Atje ku duhet të ndërhyhet duhet të ndërhyhet me shumë kujdes, ose po marr fjalën “kot”, formohet “kotësi”, nëse heqim “ë” mbështetëse, atëherë krijohet grupi “ts”, që vjen një moment e jep “c” dhe pas disa viteve do të themi “koci”?! Ose “konkret”, “konkretësi”, “ë” është mbështetëse, nëse nuk e shkruajmë këtë “ë” mbështetëse këtu atëherë do lindë fjala “konkreci”.

Top Channel: Po diskutohet që përpjekje për të shtuar fjalë të gegërishtes në gjuhën standarde, madje u përfol që kjo mbledhje e Këshillit Ndërakademik, ju ç’mendim keni për këtë?

Profesor Memisha: Standardi ka në radhë të parë një normë drejtshkrimore, që do të thotë, kemi normën fonetike, kemi dhe një normë gramatikore. Kjo normë fonetike dhe kjo normë gramatikore nënkupton që kemi paradigma të mbyllura, aty nuk ndërhyhet, sidomos në normën gramatikore. Por kemi edhe një normë leksikore që ka si tipar kryesor çlirësinë, ajo është e hapur, nuk është e mbyllur, nuk është me paradigma të mbyllura. Kjo nënkupton që nëse i duhet një fjalë shqipes standarde dhe kjo djalë ekziston në dialect, nuk pyet se është e çamërishtes, e gegërishtes, e  toskërishtes, e të folmes së Kosovës apo e arbëreshëve por e merr. Këtu ne i jemi borxhlinj gegërishtes.

Top Channel: Profesor ka diskutime të shumta, por kush e ka tagrin të vendosë për ndryshime? Cila janë hapat që ndiqen?

Profesor Memisha: Hapi i parë është që ne duhet të kemi studime, nëse flasim për zanoren “ë”, për fjalët e huaja, për drejtëshkrimin e emrave të përveçëm, nëse flasim për shkrimin bashkë apo ndaras të shprehjeve apo lokucioneve ndajfoljore, lidhëzore etj etj, duhet të kemi patjetër studime të mirëfillta. Ne nuk kemi metoda statistikore sot, flasim nga studime të njërit apo tjetrit studiues. Marrim për një çast sikur këto propozime kanë arritur. Ky komision apo këshill ndërakademik, unë siç u thashë jam për një këshill mbarëshqiptar, jo vetëm me dy akademitë, por të jenë të përfaqësuara të gjitha trevat shqipfolëse, brenda dhe jashtë kufijve. I propozohet një konference, unë nuk jam për një kongres, ai mblidhet kur kërkohen ndryshime madhore që kërkojnë patjetër ndryshime kapitale, edhe kjo konferencë, jo me statusin apo raportin që ka komisioni ndërakademik, por do të ishte mbarëshqiptare. Po të ishte komision ndërakademik atëherë takojmë 50 përfaqësues nga Kosova, 50 përfaqësues nga Shqipëria, unë manipuloj njërin apo tjetrin, ngrihet dora dhe…nuk bëhet kështu në shkencë, në shkencë bëhen studime, mos harroni që gjithmonë e reja është minorancë. Nuk duhet të mbledhim konferenca ku të dominojë vota e njërit apo e tjetrit, po ku të sillet mendimi shkencor, statistikor, që shikon prirje të përsosmërisë të kësaj shqipje, dhe jo për të futur apo realizuar pengesa dhe barriera kur nuk kemi nevojë se kemi patur kaq shumë.

Top Channel: Pra këto propozime të hedhura në këshillin ndërakademik ngelen pezull?

Profesor Memisha: Vetë komisioni thotë ne propozojmë, por nuk vendosim. Nëse ndërhyhet kaq shpejt, do të jemi në efektet e atyre që kemi diskutuar, apo siç diskuton dikush që Kongresi i Drejtëshkrimit u realizua kështu e u realizua ashtu, dikush tjetër nuk pranon asnjë lëvizje etj etj, pra duhet të largohemi nga kjo klimë acaruese, konfliktuale apo “e drejta qendron nga unë dhe të askush tjetër”.

Top Channel: Në mbledhjen e fundit të Këshillit ndërakademik janë bërë këto propozime, po kujt ia kanë propozuar dhe kujt duhet t’ia propozonin?

Profesor Memisha:
Mua më çudit fakti; ky komision ndërakademik thotë që nuk kam tagër të votoj dhe kur vjen puna voton, propozon. Kujt i propozon?! Ai duhet të lidhet në radhë të parë me Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, që është institucioni i drejtpërdrejtë që merret me studimin e gjuhës shqipe, me të gjitha universitetet ku ka degë të gjuhës dhe letërsisë, po kështu Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës duhet të lidhet me Institutin Albanologjik që merret me studimet albanologjike dhe më drejpërdrejtë me gjuhën shqipe dhe pastaj të dalim me përfundime të arrira dhe propozime. Duhet të vijë ky mendim tek këshilli akademik dhe jo këshilli akademik tek mendimi. Unë nuk jam anëtar i këtij komisioni ndërakademik, por do të bëj një propozim tjetër; Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u them që t’iu drejtojnë parlamenteve përkatëse për miratimin e një ligji për mbrojtjen e gjuhës shqipe, për mbrojtjen e standardit. Ka 10 vjet që është hartuar projekt/ligji, është diskutuar edhe në komisionet parlamentare dhe akoma nuk e kemi shqipen të mbrojtur. Këto probleme që po diskutojmë për heqjen e zanores “ë”, hyrja e fjalëve të huaja, qendrimi i shqipes ndaj fjalëve të huaja etj etj, që po i diskuton ky komision, apo një komision mbarëshqiptar, patjetër duhet të kenë këtë status të mbrojtur nga ligji. Nëse kemi në Kushtetutë ligjin “që gjuha shqipe është gjuha e popullit apo kombit shqiptar”, ne duhet ta kemi shqipen standarde të mbrojtur nga ligji. Na mungon!           

Top Channel