Bie Prodhimi Kombëtar me 0.2 %

09/07/2012 00:00

Instituti i Statistikave njoftoi se Prodhimi i Brendshëm Bruto u tkurr
në tremujorin e parë të vitit, për herë të dytë që nga viti 2009, kur
ekonomia u prek nga kriza.

“Prodhimi i Brendshëm Bruto në tremujorin e parë të vitit 2012 u ul me 0.2 për qind, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2011, ndërsa krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2011 u ul me 1.2 për qind “, tha Etugert Llazi, përfaqësues i INSTAT.

Rënia ekonomike ka ardhur si pasojë e tkurrjes së fortë të prodhimit industrial, me mbi 19.3 për qind dhe thellimit të krizës në sektorin e ndërtimit, edhe ky me rënie dyshifrore.

“Industria shënoi një rënie me 19.3 për qind gjatë këtij tremujori, krahasuar më të njëjtin tremujor të një viti më parë. Sektori i ndërtimit në tremujorin e parë të vitit 2012 shënoi një rënie me 17.6 për qind, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2011. Dega post-komunikacionit, pati një rënie me 4.8 për qind gjatë këtij tremujori krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, dhe një rënie me 1 përqind krahasuar me tremujorin paraardhës”, tha përfaqësuesi i INSTAT.

Sektorët me rritje janë ai i bujqësisë me 4.5 për qind, tregtia me 5.3 për qind dhe shërbimet e tjera me 11.1 për qind. Shifrat e tremujorit të parë dëshmojnë se kriza në ekonomi është thelluar gjatë këtij viti. Zyrtarisht Shqipëria ende nuk është në recesion. Por nëse Prodhimi Kombëtar do të tkurret edhe në tremujorin e dytë, atëherë Shqiptare hyn zyrtarisht në recesion ekonomik, një situatë e paprovuar që nga viti 1997.

PS: Ekonomia në recesion

Pas bërjes publike të të thënave të INSTAT për rënien e Prodhimit të Brendshëm Bruto me 0.2 përqind ka reaguar Partia Socialiste.

Sekretari për Programin i PS-së, Ilir Beqja tha se ekonomia e vendit ndodhet në recesion, por që nuk pranohet nga INSTAT. Sipas zoti Beqja, ky institucion gënjen me të dhënat që publikon.

“Ekonomia është në rënia gjatë këtij 3 mujori, krahasuar me 3 vite më parë. Rritja ekonomike është një mashtrim i qeverisë dhe recesioni nuk është rastësi, por produkt i korrupsionit”, tha zoti Beqja duke akuzuar më pas se të dhënat e INSTAT për rritje ekonomike janë të pavërteta.

Top Channel