Krimi godet më shumë femrat

07/07/2012 00:00

Misionarët e pajtimit të gjaqeve denoncojnë shfaqjen e sekserëve në faljen e gjakut, të cilët duke u prezantuar si misionarë të pajtimit bëjnë të kundërtën, duke nxitur vrasjet ndërmjet familjeve në konflikt.

Përfaqësues të Asamblesë Kombëtare të Pajtimit bëjnë apel për bashkëpunim të strukturave të shtetit me këtë organ, pasi shfirat e vrasjeve për shkak të gjakmarrjes jane rritur frikshëm, duke përfshirë tashmë edhe gra e fëmijë, një krim që del jashtë çdo lloj tradite të cilës i referohet.

“Marrëzia është vrasja e kësaj krijese të pafajshme. Rezulton se për motive xhelozie, tradhtie, pronësie, etj, janë vrarë 10.44 për qind femra nga 89.55 për qind të vrasjeve në përgjithësi. Më parë vlerësohej se femra ishte një figurë e pastër dhe e pacënueshme”, ka deklaruar Preng Cara, nënkryetar i Komitetit të Pajtimit Kombëtar.

Në mbledhjen e Asamblesë u përmend rasti i Marias, vajzës 17-vjeçare që është shndërruar tashmë në simbolin e protestës qytetare kundër ngujimit dhe gjakmarrjes.

Por dhuna ndaj femrës, pavarësisht motiveve, sipas misionarëve, po shtohet dhe të dhënat e fundit janë vërtet tronditëse.

Në takim u diskutua për strategjinë e “Anëtarësimit të Shqipërisë në BE pa gjakmarrjen”, e miratuar kjo në Kongresin e misionarëve të pajtimit dhe që do t’u prezantohet institucioneve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare.

Misionarët shpallën një fushatë për të kërkuar nga personat që ushtrojnë presion për ngujim që të lirohen pa kushte të gjithë fëmijët dhe gratë.

Top Channel