Gjirokastër, zjarr në një zdrukthtari

07/07/2012 17:00

Një punishte e përpunimit të drurit në Gjirokastër është shkrumbuar tërësish nga një zjarr i fuqishëm. Ngjarja është shënuar rreth orës 16, kohë në të cilën ende brenda saj ndodheshin punëtorët.

Flakët ranë gjatë orarit të punës dhe pushtuan gjithë godinën që ndodhet në fshatin Grapsh të komunës Dropull i Poshtëm.

Në vendngjarje shkuan dy automjete të repartit të zjarrfikësve, të cilët filluan shuarjen e flakëve, me qëllim për të shpëtuar edhe ato pak ambjente të cilat nuk ishin zaptuar nga gjuhët e zjarrit.

Policia evakuoi të gjithë punëtorët, të cilët së bashku me pronarët, nën kërcënimin e rrezikut të flakëve, u munduan të nxirrnin jashtë godinës ato pak gjëra të cilat kishin shpëtuar nga djegia.

Sipas të dhënave paraprake, shkak për këtë tragjedi është bërë një masë elektrike në një prej makinerive të zdrukthtarisë, por megjithatë një analizë përfundimtare nga  ana e policisë do të dalë pasi situata të normalizohet përfundimisht.

Top Channel