Fondet shtesë për Levan-Vlorë

07/07/2012 00:00

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi i është përgjigjur akuzave të opozitës lidhur me dhënien e një fondi shtesë prej 18 milionë eurosh (më shumë se projekti fillesatar) kompanisië private që po ndërton rrugën Levan-Vlorë.

Olldashi listoi disa arsye se përse shifra e projektit ndryshoi, ku e para sipas tij lidhet me faktin se administrata e ish-qeverisë socialiste ka bërë gabim mbledhjet aritmetike të kostos totale.

“Projekti i bërë në kohën e Partisë Socialiste reflektonte një gabim material prej 4.9 milionë euro. Dëgjova deputetin socialist Artan Gaci të thotë se duhet penalizuar Drejtoria e Rrugëve. Nëse duan të penalizojnë dikë, le të penalizojnë drejtuesit socioalistë të ministrisë së kohës. Projekti i hartuar në kohën e qeverisjes së Partisë Socialiste nuk parashikonte shtresën e stabilizantit, e domosdoshme për cilësinë dhe jetëgjatësinë e rrugës, shtresë kjo që kërkon 2 milionë euro”, ka deklaruar Olldashi.

Një tjetër arsye sipas zotit Olldashi se përse kostoja e projektit u rrit, lidhet me zhvillimet klimatike dhe ndryshimin e shtratit në lumin Vjosë.

“Shtrati i lumit Vjosë, për shkak të distancës prej 7 vitesh nga koha e projektimit, ka patur rritje të pallogaritur në kuotë. Kjo bëri që ura e Vjosës dhe e Ferrasit të kenë nevojë për përforcimin e pilotave në themele. Këto ndryshime kanë një vlerë prej 3 milionë euro”, ka sqaruar Olldashi.

Zoti Olldashi hodhi poshtë edhe akuzat se, përmes fondit shtesë qeveria ka favorizuar një nga nënkontraktorët e rrugës, që drejtohet nga njerëz të afërm me të.

“Ka patur spekullime se nënkontraktorët përcaktuan fituesin. Kjo është absolutisht e pavërtetë, pasi proçedura e zhvilluar, sikurse thashë më sipër, mori miratimin e bankave europiane. Për më tepër, me kërkesë të ministrisë dhe të Drejtorisë së Rrugëve, nënkontraktori kryesor, Alban-Tirana, është larguar nga projekti për shkak të mospërmbushjes së programit të punimeve që në vitin 2009”, ka saktësuar Olldashi.

Ndërsa në lidhje me rishikimin e çmimit të punimeve për efekt të inflacionit, ministri i Transporteve thotë se kjo ishte e detyruar në kontratë nga bankat e huaja që kanë financuar projektin. Rruga Levan-Vlorë është shndërruar në një nga sagat më të gjata të projekteve publike në Shqipëri.

E nisur si projekt-ide në vitin 2004, rruga u tenderua në 2007-ën, me një çmim prej 42 milionë eurosh. Por projekti është zvarritur për shkak të disa problemeve të lidhura me kompaninë ndërtuese, por edhe me efektet mjedisore të projektit, duke bërë që me shtesën e fundit kostoja e tij të shkojë në 60 milionë euro.

Top Channel