“Parimet kushtetuese dhe të drejtat themelore në jurispundencën e Gjykatës Kushtetuese” është publikimi më i fundit që mban fimrmën e bashkëautorësisë së antarit të Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori, prezantuar gjatë një ceremonie ku merrnin pjesë akademikë dhe studentë të çështjeve të drejtësisë.

“Unë kam disa botime në fushën e së drejtës, ndërsa sot promovuam një botim të ri mjaft interesant. Jemi 3 bashkautorë. Kam punuar me dy punonjës të Kushtetueses, jo si gjyqtarë. Menduam të bëjmë një libër që pasqyron kontributin e Gjykatës Kushtetuese në këto 20 vjet”, deklaroi Zaganjori gjatë promovimit.

Pas prezantimit të librit e shkëputëm zotin Zaganjori, ish-kandidatin e mazhorancës për president, duke e pyetur fillimisht si e konsideron ai tani që ka kaluar 1 muaj nga dorëheqja për të vijuar garën presidenciale.

“Po, padyshim. Unë nuk dua t’i rikthehem më këtij problemi. Ne tashmë kemi një president të zgjedhur i cili së shpejti do të fillojë detyrën dhe me gjithë shpirt i uroj punë të mbarë dhe suksese në detyrën tepër të rëndësishme si kryetar i shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit. Personalisht nuk do të flisja për shantazh. Debati për ditë të tëra u bë për proçesin. Dy-tre ditët e fundit u sulmova individualisht. Dhe unë erdha në emër të konsensusit. Unë u propozova në emër të konsensusit. Në këto kushte, duke u sulmuar individualisht për çështje të vendimmarrjes, për çështje të qëndrimit për shumë probleme të tjera, unë krijova bindjen që opozita s’ka aspak besim tek unë dhe dhash dorëheqjen”, u përgjigj Zaganjori.

Dorëheqja e Xhezair Zaganjorit u komentua disa ditë më parë se lidhej me një shantazh të mundshëm me dosjet e sigurimit, gjë të cilën pedagogu i së drejtës ndërkombëtare e hedh poshtë në mënyrë kategorike.

“Nuk ka absolutisht asnjë lloj shantazhi. Përkundrazi, nuk është shtruar asnjëherë ky problem. Së pari, unë absolutisht asnjëherë nuk kam punuar në organe të drejtësisë gjatë periudhës së regjimit komunist. Unë që nga viti 1981 kam qenë pedagog në Fakultetin e Drejtësisë, deri në fillimin e proçeseve demokratike e deri në kohën kur u zgjodha për të shkuar ambasador për pesë vjet në Republikën Federale Gjermane. Kam qenë vazhdimisht pedagog, kam punuar në Gjykatën Kushtetuese, ku ende punoj, por ushtroj paralelisht edhe detyrën e pedagogut, përfshirë një punë dyvjeçare në institutin “Maks Plank” në Gjermani. Dosjet në Shqipëri duhet të ishin hapur me kohë. Ne pas 20 vitesh jemi shumë të vonuar. Por ka edhe një lloj hapje të butë të dosjeve, të paktën ajo të ishte bërë. E gjykoj plotësisht me vend faktin që personave që ngarkohen me detyra të larta shtetërore duhet t’u hapen patjetër dosjet për të parë se çfarë problemesh kanë patur në të kaluarën, deklaroi Zaganjori.

Xhezair Zaganjori thotë se mandati si gjyqtar i Kushtetueses i ka mbaruar dhe se brenda këtij viti do të largohet. Më tej ai do t’i përkushtohet jetës akademike pranë studentëve, duke mos pasur asnjë ambicje për t’u marrë me politikë.

Top Channel