Një dite pas dorëheqjes së kreut të Shërbimit Informativ të Ushtrisë,
pas akuzave publike për tregtinë e armëve, deputeti socialist Sajmir
Tahiri, tha se ishte një skemë trafiku, si ne rastin e Gërdecit dhe ky
biznes ka patur suport politik, si nga kretet e Ministrise së Mbrojtjes,
ashtu edhe nga vete qeveria.

“Vetë dorëheqja e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Ushtrisë me një tekst të thatë ku më shumë kishte lëvdata për pushtetin politik sesa kishte shpjegime për akuzat publike të bëra ndaj tij dhe përfshirjes së familjarëve të tij në tregtinë e armëve. Nga njëra anë dëshmon vërtetësinë e të dhënave që janë bërë publike në lidhje me përfshirjen e zyrtarëve të lartë dhe familjarëve të tyre në tregtinë e armëve. Dhe nga ana tjetër duket se ka pasur një koperturë të fortë politike, ndoshta të vetë ministrit Imami, po edhe të pushtetarëve të lartë deri edhe tek kryeministri vetë”, tha Tahiri.

Dorëhiqet kreu i SHIU-t Ylli Zyla

Drejtori i Shërbimit Informativ Ushtarak, kolonel Ylli Zyla dha dorëheqjen të enjten në mbrëmje pas akuzave në media se bashkëshortja e tij ishte ortake në tregëtinë e armëve në Shqipëri.

Në tekstin e dorëheqjes drejtuar kryeministrit Berisha dhe ministrit Imami ai i quan këto sulme të pamoralshme,  ndërsa në media është pasqyruar se bashkëshortja e zotit Syla ka konflikt interesi pasi është bashkëaksionere në dy kompani të licensuara në Ministrinë e Mbrojtjes për të eksportuar armatime.

Në motivacionin shoqëruar këtë dorëheqje, kolonel Ylli Zyla shprehet: “Unë i nënshkruari, kolonel Ylli Zyla, me detyrë drejtor i Shërbimit Informativ Ushtarak, nisur nga disa sulme të pamoralshme dhe të pabazuara që më janë bërë mua dhe familjes sime, për të ruajtur integritetin dhe moralin e familjes sime, integritetin e institucionit të SHIU-t si shërbim inteligjence i një vendi anëtar të NATO-s, marrëdhëniet e shkëlqyera të SHIU-t me shërbimet partnere strategjik të inteligjencës, si dhe për të garantuar vijueshmërinë normale të veprimtarisë dhe operacioneve të SHIU-t, më lejoni t’ju paraqes: dorëheqjen nga funksioni i drejtorit të Shërbimit Informativ Ushtarak”.
 

Top Channel