Debati mbi shqipen: Shumë zhurmë për asgjë

06/07/2012 00:00

MUSTAFA NANO – Është bërë një zhurmë e madhe këto ditë lidhur me një
Komision Ndërakademik (një joint venture i Akademisë së Kosovës me
Akademinë e Shqipërisë), që është ngritur me synimin për të bërë ca
ndryshime të nevojshme në drejtshkrimin e gjuhës shqipe.

Në këtë komision bëjnë pjesë Jani Thomai, Besim Bokshi, Rexhep Ismajli, Ethem Likaj, Kolec Topalli, Gjovalin Shkurtaj, Shezai Rrokaj, Shefkie Islamaj, Isa Bajçinca, Bardh Rugova, Rrahman Paçarrizi, Mehmet Çeliku, Imri Badallaj, Enver Hysa, Seit Mancaku, Tomorr Osmani, Abdullah Zymberi, etj. (këto emra janë marrë nga një intervistë që Kolec Topalli jepte pardje për “Gazetën Shqiptare”). Nuk janë emra që i thonë ndonjë gjë publikut të gjerë, por janë ekspertë e njohës të gjuhës. Fillimisht ky komision ka qenë i fokusuar te fjalët e huaja në gjuhën shqipe, kryesisht anglicizmat, e më pas ka hapur diskutimet mbi drejtshkrimin e shqipes, e më konkretisht mbi zanoren e patheksuar ‘ë’.

Debati mediatik nisi me një lajm, që për titull kish një mesazh shumë sugjestiv: Jo babait, por babs, jo nënës, por nans. Kjo frazë e zgjedhur për titull është marrë, me ç’është dukur, nga një intervistë nervoze e bërë më këmbë me Mehmet Çelikun, i cili nuk ka qenë dakord me ca ndryshime të propozuara lidhur me përdorimin e germës ‘ë’. Pas kësaj nisi një tollovi e madhe. U futën në lojën e debatit shumë emra, të njohur e të panjohur, të Tiranës e të Prishtinës, të cilët, në mungesë të informacionit, zunë të flisnin me hamendje. Komisioni ad hoc Ndërakademik u quajt nga dikush një komision ilegal, dhe faji për këtë është i atyre që e drejtojnë këtë komision, apo bëjnë pjesë në të, ngaqë nuk u bënë të gjallë në momentin e duhur për të bërë konfirmimin apo përgënjeshtrimin e pretendimeve mediatike, për të hedhur dritë mbi gjërat, lidhur me të cilat po diskutonin, e lidhur me të cilat po spekulohej, dhe për t’mos e lënë debatin të merrte këto përmasa që mori. Për ditë të tëra, nuk u ndje asnjë prej emrave të përmendur në krye të këtij shkrimi. Në mënyrën më të çuditshme, folën ata akademikë që s’kish pse të flisnin mbi këtë çështje, ngaqë efektivisht janë ekspertë në fusha të tjera.

Vetëm pardje patëm mundësi të merrnim vesh se si është e vërteta. Për këtë na ndihmoi intervista e Kolec Topallit dhënë Fatmira Nikollit, ku nënvizohej qartë e prerë një qëndrim i tij, që duhet të jetë dhe qëndrimi i shumicës në atë Komision Ndërakademik: “Nuk bëhet fjalë për të ndryshuar standardin, nuk bëhet fjalë për të krijuar një standard të ri, nuk bëhet fjalë që të ketë Kosova një standard e ne një tjetër. Jo! Ky do të ishte gabimi më i madh. Më 1913 na ndanë si komb, e nëse sot trojet shqiptare janë përsëri të ndara, le të bashkohemi në gjuhën e përbashkët, në historinë, në kulturën, në shkollën etj. Ndërkaq, dialektet do të vijojnë jetën e tyre, si në çdo vend tjetër; por ato do të vijojnë ta pasurojnë standardin. Prandaj, edhe dialektet janë një pasuri e kombit tonë.”

Sikur kjo frazë të ish thënë menjëherë, do ishin kursyer nerva, energji, shpërthime, spekulime, hamendje për përbetime tribale, qasje sektare, pickime jo fort akademike mes akademikësh, etj., etj. Por nuk është vetëm kjo që sqarohet nga Topalli. Ky i fundit hedh dritë mbi diskutimet reale që janë bërë në komision, dhe nga çfarë thotë ai, nuk rezulton të ketë pasur ide apo propozime që të kenë synuar ndryshime ‘të frikshme radikale’; aq më pak, rezulton të ketë pasur ide, që shkonin deri tek titulli i lajmit të “shqiptares.com”: Jo babait, por babs, jo nënës, por nans.

Ja një pjesë e informacionit apo e saktësimeve, që Topalli bën për publikun: “Është menduar se zanorja -ë- mund të bjerë në fjalët e prejardhura që përmbajnë prapashtesën tar, si për shembull tek emri gojëtar. Sipas drejtshkrimit, kjo fjalë shkruhet me zanoren -ë, por mund të shkruhet pa të, sepse edhe emrat lojtar e rojtar shkruhen pa -ë-. Me të njëjtën prapashtesë mund të shkruhet mjeksi pa -ë-, e jo mjekësi; pra, popull – popullsi, mjek – mjeksi, pasi është e njëjta prapashtesë dhe s’ka arsye që të shtojmë zanoren -ë-. Kemi emrin anëtar, që të gjithë e shqiptojmë antar, pa -ë-. Sikurse shkruajmë edhe gjuhë amtare, të shkruajmë edhe antar. Ka raste kur ajo [zanorja “ë”] duhet shtuar; për shembull, emri hasm është parashikuar në drejtshkrim të shkruhet pa zanoren -ë-. Por, asnjeri nuk e shqipton dot hasm, prandaj këtu duhet shtuar kjo zanore e të shkruhet hasëm, ashtu siç thuhet ritëm, jo ritm. Po kështu, emri britm e ka të nevojshme një zanore -ë-, kurse drejtshkrimi parashikon që të shkruhet pa këtë zanore, megjithëse pa këtë nuk qëndron dot. Ka edhe raste të tjera ku zanorja -ë- as nuk bie, as nuk shtohet por ndërron vendin e saj brenda fjalës. Kështu ndodh me mbiemrat me -të dhe me -ët. Kështu për shembull, nga emri dushk është formuar mbiemri i dushktë, kurse nga emri myshk formohet mbiemri i myshkët. Janë fjalë me të njëjtën paraqitje fonetike dhe me të njëjtën prapashtesë, ndaj duhet unifikuar shkrimi i tyre. Në këtë rast zanorja as nuk bie, as nuk shtohet, por shkon në vendin e vet, duke u shkruar prapashtesa me të njëjtën mënyrë, pra, duke formuar një rregull të caktuar për drejtshkrimin e tyre. Po përmend një rast tjetër. Emri yndyrë formon me prapashtesën -të mbiemrin i yndyrtë, ndërsa emri lyrë formon mbiemrin i lyrtë, që sipas rregullave të drejtshkrimit duhet shkruar i lyrët. Edhe në këtë rast, është e nevojshme të njësohet rregulla për të dy këta mbiemra, që kanë formë fonetike të njëjtë. Kështu formulojmë një rregull dhe shmangim përjashtimet. Po marrim edhe një shembull nga formimi i shumësit. Emri dru ka shumësin drunj, emri hu ka shumësin hunj, ndërsa emri gju ka shumësin gjunjë.” Etj, etj, etj.

Bëra këtë citim të gjatë të Kolec Topallit për të ilustruar natyrën e diskutimeve që janë bërë në atë komision, ku – përsëris – nuk ka ngritur njeri sëpatën kundër standardit të shqipes. Shtypi ka dhënë idenë se në atë komision po bëhet nami, por duhet thënë se nuk është faji i shtypit; ose jo vetëm i shtypit. Është edhe faji i komisionit që ka funksionuar pa asnjë arsye në mënyrë ezoterike. Një kolegia ime, Ilva Tare, më tregonte këto ditë se njëri prej gjuhëtarëve që bën pjesë në atë komision i kish bërë bisht me të gjitha mënyrat kërkesës së saj për t’i bërë një intervistë lidhur me këtë çështje. Epo, në këto rrethana sigurisht që do të lindin dyshime e do të bëhen spekulime.

Gazeta “Shqip”

Top Channel