Lotaria, sa do taksohet kompania?

05/07/2012 00:00

Tenderi për licensën e Lotarisë Kombëtare është shoqëruar me debate të
forta mbi procedurat e ndjekura dhe kriteret e vendosura nga qeveria.

Opozita ka akuzuar se përmes këtij tenderi qeveria po fal deri në 100 milionë euro para të qytetarëve tek një privat, ndërsa disa nga shoqatat më të rëndësishme të biznesit kanë kërkuar publikisht anulimin e tenderit dhe mbajtjen e licensës në monopol shtetëror për ta përdorur për politika sociale.

Në Europë janë shumë vende të zhvilluara që licensën e Lotarisë Kombëtare e kanë monopol të shtetit edhe pse në disa raste e kanë dhënë vetëm për administrim tek privati, kundrejt përfitimeve të kufizuara. Austria është një nga shembujt më të mirë. Qeveria austriake e ka monopol të sajin licencën e Lotarisë Kombëtare, por ja ka dhënë atë për administrim një kompanie private, “Austrian Lottery”, tashmë e njohur për publikun shqiptar, pasi është një nga dy kompanitë e vetme pjesëmarrëse në tenderin për licensën kombëtare.

Në vitin 2010 “Austrian Lottery” raportoi se të ardhurat bruto nga shitja e biletave dhe organizimi i Lotarisë Kombëtare ishin 2 miliardë e 642 milionë euro. Por nga gjithë kjo shumë kompani fitoi vetëm 34.99 milionë euro ose 1.3 për qind. Pjesa tjetër është shpërndarë si fitim për lojtarët, është paguar për pagat e punonjësve dhe shpenzimet e tjera administrative, ose ka shkuar për të financuar aktivitete sociale dhe sportive.

Të dhënat e publikuara nga vetë shoqëria austriake tregojnë se edhe në vitet e tjera, pjesa që shkon në arkat e saj nga organizimi i Lotarisë Kombëtare në Austri është luhatur nga 1.4 deri në 1.7 për qind e totalit të të ardhurave duke ja rikthyer pjesën tjetër publikut ose qeverisë austriake. Lotaria Kombëtare nuk është si lojrat e rëndomta të fatit, ndaj qeveritë e mbajnë atë shtetërore ose edhe kur ua transferojnë privatëve e bëjnë këtë kundrejt përfitimeve të kufizuara për këta të fundit. Qeveria shqiptare thotë se ajo veç taksave të zakonshme ka përcaktuar për kompaninë që do fitojë licencën e Lotarisë një taksë shtesë prej 10 për qind mbi të ardhurat bruto.

Pyetja që shtrohet është a do të mjaftojë kjo që shteti dhe qytetarët të marrin sërish mbrapsht 98 apo 99 për qind të të ardhurave që mbledh llotaria, ashtu siç ndodh në Austri, apo licensa do të jetë thjesht një burim fitimesh të majme për privatin që pritet ta fitojë atë.

Top Channel