Fier, gjendet 45-vjeçari i pajetë në Seman

05/07/2012 00:00

Gjendet në Seman trupi i pajetë i një burri. Paraprakisht dyshohet se
viktima, i identifikuar si A.Kulari, 45 vjeç, banues në lagjen “28
Nëntori” të qytetit të Fierit, të jetë mbytur mbrëmjen e djeshme.

Ai është gjetur rreth mesnatës dhe policia ka nisur menjëherë veprimet për identifikimin dhe zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së tij.

Nga këqyrja paraprake e kufomës nuk janë vërejtur shenja dhunë, megjithatë pritet përfundimi i ekspertizës mjeko-ligjore për të dalë në një konkluzion zyrtar të ngjarjes.

Mat, vritet dhe hidhet në lumë e reja

Kufoma e një vajze rreth 18-20 vjeç është gjetur në ujërat e lumit Mat. Trupi i pajetë i vajzës është zbuluar nga banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar policinë.

Lajmi bëhët akoma më i rëndë, pasi e reja është gjetur e lidhur me litar, ndërsa i ishte mbyllur goja me një fashë të bardhë.
 
Policia dyshon se vajza e re mund të jetë masakruar dhe më pas trupi i saj i pajetë është hedhur në lumë. Viktima në momentin e masakrimit mund të ketë bërtitur çka e ka detyruar agresorin t’i lidhë gojën.

Edhe pse banorët e zonës e kanë parë në mëngjesin e së martës trupin e pajetë të vajzës së re, nxjerrja e trupi është bërë e mundur vetëm pasdite, në afërsi të Urës me Harqe në Milot. Kufoma e vajzës së re mbetet e paidentifikuar, ndërsa eskpertët pritet të kryejne ekspertizën ligjore mbi trupin e pajetë për të zbardhur nëse vajza është masakruar më parë dhe më pas është hedhur në lumë.

Ndërkaq policia ka nisur verifikimet për të gjitha rastet e denoncimit në polici për rastet që rezultojnë vajza të kësaj moshe të zhdukura në mënyrë që të sqarohen më tej rrethanat dhe shkaqet e vdekjes misterioze të kësaj vajze.

 

Top Channel