Asambleja e OSBE-së në Tiranë

05/07/2012 00:00

100 vjetori i pavarësisë së vendit duket se është vit i mbarë, të paktën për përfaqësimin ndërkombëtar të vendit.

Pas marrjes deri në nëntor të presidencës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, Shqipëria do të jetë vendi mikpritës edhe për Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.

Kjo u bë e ditur nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ndodhet në Monako bashkë me delegacionin shqiptar në këtë insitucion, ku përfaqësohen 56 vende të botës.  Zonja Topalli e cilëson mbajtjen në Tiranë të sesionit të vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së si një ngjarje historike për Kuvendin e Shqipërisë.
 
“Kjo Asamble është shumë e rëndësishme për ne shqiptarët, meqënëse këtu përfundimisht është vendosur, pas kërkesës sonë, pas këmbënguljes, përpjekjeve dhe përgatitjeve që kemi bërë, që sesioni i ardhshëm i Asamblesë së OSBE-së të zhvillohet në Shqipëri. Nuk ka ndodhur asnjëherë që Asambleja e OSBE-së  të mbahet në Tiranë. Ne kemi muaj që po punojmë për një gjë të tillë. Më në fund është vendosur dhe sot mu dha mundësia që në Standing Committee të ftoj zyrtarisht të gjithë anëtarët e OSBE-së”, theksoi Jozefina Topalli.

Shqipëria është prej 21 vjetësh anëtare me të drejta të plota në OSBE, por për shkak të zgjedhjeve, emri i saj është përmendur në OSBE vetëm si një vend problematik.

Për herë të parë këtë vit, Shqipëria ka shansin të përmirësojë imazhin, ndoshta edhe atë politik përpara delegacioneve nga Europa, Azia dhe Shtetet e Bashkuara.

Për këtë qëllim, gjatë zhvillimit të Asamblesë në Monako, Kuvendi i Shqipërisë hapi edhe një stendë të veçantë promocionale, ku nëpërmjet pamjeve filmike dhe fotografive po shfaqen bukuritë natyrore shqiptare.

“Kemi bërë maksimumin për të promovuar bukuritë e Shqipërisë, për të promovuar potencialet e vendit tonë dhe për të ftuar delegacionet e vendeve pjesëmarrëse për të njohur Shqipërinë, realitetin në këtë vend që është ndryshuar kaq shpejt, duke bërë një rrugë kaq të gjatë dhe duke arritur të jetë anëtar i NATO-s”, shpehet kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë.

Top Channel