“Të vetmit që rritëm pagat”

04/07/2012 19:30

Rritja e pagave dhe pensioneve ishte kryefjala e kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë.

Zoti Berisha e cilësoi këtë si një nga vendimet më të rëndësishme, jo vetem sepse realizohet programi qeverisës, por edhe pse ky vendim merret në një periudhë vështirësish ekonomke për vendin dhe në një kohë krize për ekonomitë e Eurozonës.

Vështirësitë e brendshme, kryeministri Berisha ia adresoi kryesisht tremujorit të parë të vitit, për shkak të paralizimit të vendit nga dimri dhe importi i lartë me çmime të shtrenjta të energjisë elektrike.

Por. sipas tij, këto pasoja jane drejt zhdukjes, çka e lejoi qeverinë të bëjë rritjen e pagave dhe pensioneve, duke bërë kontrast me vendet e  tjera të cilat kanë ulur ndjeshëm ose kanë ngrirë rritjen.

”Ky vendim bëhet edhe dy herë më i rëndësishëm për kohën në të cilën merret ky vendim. Shqipëria mund të listohet ndër më të paktat vende të kontinentit dhe më gjerë që rrit ndjeshëm pagat dhe pensionet e qytetarëve të saj. Dua te garantoj se gjithçka është arritur pa marrë as edhe një qindarke borxh”, u shpreh Berisha.

Në vitin e fundit të mandatit të dyte, kryeministri Sali Berisha bëri një krahasim mes gjendjes së pagave dhe pensioneve, që nga 2005-a kur ai erdhi në pushtet.

Përveçse theksoi ngushtimin me disa herë të raportit mes pagave dhe pensioneve, kryeministri theksoi rritjen e tyre, që kur ai mori qeverisjen e vendit.

Përgjithësisht, sipas të dhënave të kryeministrit, paga mesatare është dyfishuar, ndërsa në rastet e arsimtarëve, infermierëve dhe mjekeve rritja shkon nga 2.2-2.5 hëre më e lartë se në vitin 2005.

Po ashtu edhe pensionet, si në fshat edhe në qytet, çka sipas kryeministrit Berisha e bën qeverisjen të jetë më afër intersave të 820 mijë familjeve që përfitojne nga rritja e pagave dhe pensioneve.

Top Channel