Bregu i qetë për pushuesit dhe me një gjeografi për t’u patur zili; diell, det, rërë e pafundme dhe një kurorë e gjelbërt halore e pafundme që rrethon vendin.

Edhe pse shumë afër Tiranës, me një distancë të përafërt sa ajo e plazheve të Durrësit, Gjiri i Lalzit është një nga zbulimet më të reja turistike, është nga plazhet më të qeta që ofron vija bregdetare e Durrësit dhe fatmirësisht ende i paprekur nga vrulli i betonizimeve.

Vitet e fundit, Komuna Ishëm që administron këtë zonë turistike, ka dhënë leje për 50-60 biznese të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre përgjatë vijës bregdetare prej 24 kilometrash. Kjo ka bërë që të përmirësohet higjena publike dhe shërbimi, por edhe këtu ka ndodhur dukuria e plazheve të tjera; që të pushosh, duhet të frekuentosh patjetër plazhin privat.

Qytetarët ankohen se ka shumë pak plazhe publike ku mund të ngresh çadrën tënde.

Deri vjet në plazhin e Gjirit të Lalzit mungonte tërësisht plazhi publik. Komuna Ishëm deklaron se kjo mangësi është korigjuar sivjet.

“Komuna e Ishmit ka marrë një vendim të rëndësishë, që përgjatë viteve të tjera nuk ka qenë. Ka krijuar 3 hapësira për plazhet publike, me tabelat treguese, menaxhohen pastër”, thotë nënkryetari i Komunës Ishëm, Luan Kertosha. 

Top Channel