Tetë pikat e dokumentit të Brukselit

03/07/2012 19:35

Për të pestën herë, parlamentarët shqiptarë, ata të mazhorancës dhe të opozitës do të vihen përballë komitetit të stabilizim asocimit në Bruksel më 11 dhe 12 korrik.

Tre janë çështjet kryesore që pritet të diskutohen. Reformat dhe zhvillimet në Parlamentin Shqiptar, situata ekonomike dhe progesi i deritanishëm në realizimin e reformës në sistemin e drejtësisë.

“Top-Channel” ka mundur të sigurojë edhe deklaratën paraprake të hartuar prej 8 pikash, e cila pritet të votohet në përfundim të mbledhjes së këtij komiteti nëse do të arrihet dakortësia e të gjitha palëve.

1. Deklarata nis me një urim për presidentin e zgjedhur Bujar Nishani dhe atë në largim Bamir Topi, i cili merr përgëzime  për rolin e tij gjatë krizës politike. Komiteti Stabilizim Asocimit i kujton presidentit të ardhshëm, Bujar Nishanit, se krahas përfaqësimit të unitetit kombëtar, do t’i duhet të garantojë pavarsinë e insitucioneve përfshi bashkimin e forcave politike drejt qëllimit final të përmbushjes së kushteve që dikton  integrimi europian.

2. Pika e dytë e deklaratës përshëndet përpjekjet që kanë ndodhur pas marrëveshjes së nëntorit 2011 në qetësimin e klimës politike megjithatë Komiteti Stabilizim Asocimit shpreh zhgënjimin, për shansin e  humbur nga të gjitha forcat politike për të shpalosur vendosmëri dhe bashkëpunim, gjë e cila u dëmtua seriozisht gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit.

3.
Komiteti Stabilizim Asocimit pasi vlerëson hapat e deritanishëm në reformat parlamentare dhe zgjedhore kërkon nga klasa politike shqiptare që në mënyrë urgjente të finalizojnë këto dy reforma.

4.
Liberalizimi vizave shihet nga Komiteti Stabilizim Asocimit, si një sukses jo vetëm për lëvizjen e lirë të qytetarëve, por edhe në mardhënieve ndërinstitucionale. Vlërësohet puna e qeverisë në menaxhimin e problemeve të shfaqura që lidhen me këtë proces.

5. Në pikën e pestë të deklaratës ritheksohet se  reformat në drejtësi, lufta krimit të organizuar dhe korrupsionit janë parakushtet kryesore për të gjithë rajonin në rrugëtimin drejt BE-s. Komiteti në mënyrë të veçantë kërkon nga autoritet shqiptare jo vetëm hartimin e ligjeve të bukura në letër, por më kryesorja zbatimin e tyre e në mënyrë të posaçme garantimin e pavarsisë në sistemin e drejtësisë.

6. Është me rëndësi që  ngjarja e 21 Janarit 2011  të ndiqet me hetime të pavarura dhe gjithëpërfshirëse, përfshi procedura gjyqësore të besueshme, thuhet në pikën gjashtë të deklaratës.

7. Komiteti Stabilizim Asocimit i jep një rëndësi edhe situatës ekonomike në Shqipëri dhe kërkon prej  institucioneve  financiare në vënd të bëjnë kujdes me disiplinën buxhetore e cila do të shërbejë për vijimin  e qëndrueshmërisë së zhvillimit makroekonomik. Zgjedhjet parlamentare të 2013-tës thuhet në deklaratë nuk duhet të kenë influencë në planifikimin e buxhetit siç ka ndodhur në të shkuarën.

8. Deklarata e Komitetit të Stabilizim Asocimit, në pikën e fundit të saj kërkon që Shqipëria të vijojë pasjen e rolit kosntruktiv në stabilitetin e rajonit duke luftuar tensionet e brëndëshme etnike në Ballkanin Perëndimor.

Top Channel