Shqipëria mund ta kish një biletë falas për në BE, por…

02/07/2012 00:00

MUSTAFA NANO – “Shqipëria nuk ka për ta pasur një biletë falas për në
BE”, është shprehur dy ditë më parë në një intervistë për gazetaren e
“Top Channel”-it, Arta Tozaj, ministri danez për Çështjet Europiane,
Nicolai Wammen.

Nuk është hera e parë që i njëjti person thotë të njëjtën gjë. E ka thënë të paktën dhe një herë tjetër, kur ka qenë në Tiranë, si përfaqësues i vendit që mbante presidencën e BE-së (ky mandat mori fund dje). Madje, nuk është ndonjë gjë e re. Në mënyra e forma të tjera e kanë thënë dhe të tjerë si ai, dhe me këtë duan të na thonë se gaveta jonë para se të hyjmë në BE do të vijojë, se kemi kusure akoma për të hequr, dhe se anëtarësimi në BE, ndryshe nga anëtarësimi në NATO, nuk është një dhuratë. E kanë seriozisht? Në rrethana të tjera, kjo do të ishte një frazë inkurajuese, por në kontekstin aktual, gjasat janë që ta kenë seriozisht. Janë lodhur me ne, që “ua kemi sjellë në majë të hundës” (shprehja në thonjëza është e eurodeputetit nga Sllovakia, Eduard Kukan, thënë ca ditë më parë, menjëherë pas zgjedhjes së Presidentit të ri).

Berisha ka qenë gjithë kohës, ndoshta është akoma, me idenë se ata bëjnë gjoja, se në fund fare nuk kanë se nga t’ia mbajnë, se Shqipërinë nuk mund ta lënë jashtë strategjisë së integrimit, që është, jo vetëm e thjesht në të mirë të Shqipërisë, por edhe në interes të vetë Europës. E në këtë kuptim, Berisha ka pasur e ka të drejtë. Ka një projekt të integrimit europian, që ka lindur shumë përpara se të ketë lindur një dëshirë apo aspiratë shqiptare për t’iu bashkuar rrjedhave e zhvillimeve europiane. Dhe ky projekt nuk mund të pajtohet me përjashtimin e Ballkanit, apo të ndonjë vendi ballkanik, sidozot Shqipërisë. Shkurt, nuk na lënë dot jashtë. Në trenin e fundit do të na lënë të hipim ‘edhe pa biletë’. Madje, nuk është se do të na lënë; në rastin më të keq, do të na marrin me pahir. Kjo, në mos ka qenë bindja e Berishës, ka qenë shpresa e tij. Ai ka menduar se, për shkak të faktit që integrimi i Shqipërisë në BE është një projekt europian përpara se të jetë një aspiratë e shqiptarëve, mund t’i bëjë të dyja, d.m.th. edhe të sundojë mbi shqiptarët si një satrap, edhe t’i çojë në Europë si një ‘vizionar’.

Ku gabon Berisha? Berisha gabon kur mendon se këtë projekt sundimi, e jo qeverisjeje, mund ta fshehë, e mund ta bëjë pa fund të duket si tjetër për tjetër. Deri tani s’i ka ecur keq. Madje, edhe tani, në pamje të parë, nuk duket se po bën ndonjë llogari të gabuar në funksion të projektit personal të sundimit, pasi ai është i sigurt se do të jetë aty, në komandë të gjërave, sido që të ecë procesi i integrimit, ngaqë mund t’ua shesë shqiptarëve këtë ngecje si faj të opozitës e ngaqë rezultatin e zgjedhjeve e ka në dorë, ashtu siç i ka të gjitha institucionet, tanimë. Dhe kështu, mendon ai, kur të kalojë treni i fundit, ai do të jetë po aty.

Do t’i ecë ky plan? Ky nuk duket të jetë plan. Është thjesht një dëshirë e gjakim i Berishës, të cilat ai mendon t’i përmbushë duke vjedhur zgjedhjet, apo duke bërë alkimira elektorale, apo aleanca ‘me të gjithë’. Në rast se ka vendosur t’i vjedhë zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ai mund të mbetet në pushtet, por nuk ka për ta gëzuar këtë gjë ‘në pritje të trenit të fundit’. Dhe kështu, përveç që do ta komprometojë keqaz perspektivën europiane të Shqipërisë, do të komprometojë dhe shpresën e tij për t’u gjendur në fronin e sundimtarit deri në fund. Nëse nuk ka vendosur t’i vjedhë zgjedhjet e vitit të ardhshëm, atëherë duhet thënë se këto zgjedhje nuk do të jenë një ekuacion i thjeshtë për të, pavarësisht zotësive të tij prej alkimisti; janë një ekuacion me disa të panjohura: koalicionet janë të paqarta, ashtu siç janë të paqarta mbështetjet elektorale në favor të partive të reja, AKZ-ja dhe FRD-ja, ekzistenca e të cilave është një lajm i keq në radhë të parë për Berishën vetë.

Por derisa të vijnë zgjedhjet e ardhshme, kemi një ngjarje tjetër: shqyrtimin që do t’i ribëhet kërkesës sonë për të marrë statusin. Nuk ka asnjë të dhënë që na thotë se Brukseli mund t’na e japë këtë status të kandidatit. Zërat prej andej po thonë se është politika shqiptare që e ka në dorë, por nga ana tjetër ka të dhëna që na thonë se atje është marrë tanimë vendimi për t’na thënë ‘jo’. Është marrë vendimi përpara se të vijë vjeshta, e përpara se të bëhet raporti mbi Shqipërinë. Gjatë gjithë këtyre kohëve që kanë kaluar qysh prej refuzimit të parë, nga Brukseli e Strasburgu kanë ardhur vetëm qortime e pakënaqësira. Nuk ka për të mjaftuar pra asnjë vullnet bashkëpunimi i Berishës me opozitën, e asnjë gatishmëri e tij për t’i bërë ‘lëshime’ opozitës për sa i takon reformës zgjedhore. Berisha e di se, edhe sikur t’ia plotësojë të tëra kërkesat opozitës e ta finalizojë me sukses reformën zgjedhore, ai nuk do të shpërblehet nga Brukseli. Në këto rrethana nuk është çudi të jetë duke menduar: unë jam që jam i humbur e i djegur në këtë provim të vjeshtës; prandaj po vijoj me timen, po e mbaj Ristanin, po e refuzoj kërkesën e opozitës për rinumërim të votave sa herë që do të ketë dyshime të arsyeshme për manipulim, etj., etj., e po mbaj nën kontroll procesin elektoral. Sa për situatën pas refuzimit të kërkesës për statusin e vendit kandidat, ai e ka bërë gati alibinë: Opozita ka mbushur Europën me shpifje për Shqipërinë, ka përdorur aleatët e saj ideologjikë në Bruksel e në Strasburg, ka blerë me para këtë refuzim, etj., etj.

Ky është plani i Berishës, me të cilin ai mendon të ecë deri në mesin e vitit 2013, kur do të mbahen zgjedhjet. Se çfarë do të ndodhë në këto zgjedhje, e pas tyre, nuk do të jetë në dorë të Berishës.

Gazeta “Shqip”

Top Channel