Një kafshatë bukë në mbretërinë e plehrave

02/07/2012 20:00

Një jetë e ndërtuar mbi varfërinë, mbi detet që shpesh përmbysin realitete njerëzore të vështira, të pamundura, që mbahen e ngjiten në shpresën fije-hollë se një ditë diçka do të mund të ndryshojë.

Ashtu siç ndodh jo larg qytetit të Durrësit, ku njerëzit kërkojnë të marrin frymë në mbretërinë e mbeturinave. Kjo është e vetmja mënyrë, e vetmja mundesi që u është dhënë, e vetmja formë për të siguruar asgjë më shumë sesa mbijetesën e familjeve të tyre.

Mbretëria e plehrave ngre krye si një vargan i heshtur në një hapësirë të gjerë e të rrethuar andej këndej nga shtëpi të vogla që duket sikur kanë mbirë nga hiçi. Mes tyre, një rrugë kundërmuese prej nga duket ushtria e vobektë e përbërë nga dhjetëra e dhjetëra banorë të zonës, në një tablo të trishtë e të dhimbshme.

Ata kanë ardhur kryesisht nga zonat e veriut, Tropoja, Kukësi, Dibra e Puka me shpresën për të siguruar një të ardhme të ndryshme nga ajo e rezervuar në Malesinë e vështirë. Derdhen këtu çdo ditë në kërkim të hekurishteve, plastikave e materialeve të tjera të cilat më pas i shesin për të sigurar pakëz diçka për familjet e tyre.

”Mund të marrim deri në 5 mijë lekë për punëtor. Pesë mijë lekë të vjetra sa për të ngrënë bukë, ndonëse as bukë nuk mund të vlesh me to. Punojmë këtu bashkë me derrat, që ushqehen në plehra, ndërsa ne kërkojmë të nxjerrim një copë bukë”, shprehet një prej fatkeqësve, një i mitur që ndihmon në mbijetesën e familjes së tij.

Kjo është e vetmja mundësi, me mbijetesën që duhet të lindë mes flliqësirave e erës së papërfytyrueshme që lundron kudo përgjatë zonës. Shumë banorë kanë vdekur nga sëmundjet e ndryshme të shkaktuara pikërisht nga kjo punë, e të tjerë vazhdojnë të punojnë duke luajtur kobshëm me veten e tyre. Jeta nuk i përzgjedh edhe pse historitë personale pasojne njëra-tjetrën në emër të një realiteti të veshtire, të çjerrë çdo ditë me thonj e të zhuritur mes baltës e plehrave.

”Kam gjashtë fëmijë, dy i kam të operuar dhe vijmë këtu për të siguruar kafshatën e gojës. Edhe dy fëmijët e sëmurë, këtu punojnë, mes plehrave, sepse ndryshe nuk mund të sigurojmë as kafshatën. Një ndihmë që ma dha kryeministri, ka kohë që ma kanë ndërprerë. Ja, jetojmë vetëm me këto plehra”, thotë një grua e vetme, që duhet të kujdeset për të gjithë fmailjen e saj.

Shumica e plehrambledhësve nuk duan të shfaqen në kamera. Një zgjedhje kjo për të shmangur përballjen me të afërm, por edhe me miq e shokë që jetojnë diku tjetër e mund t’i shohin në ekran. Kjo është e vërteta e tyre, një e vërtetë që përpiqen ta ndajnë veç me njëri-tjetrin e askënd tjetër.

”Me lekët që fitoj nuk mund të blej as librat e shkollës”, ankohet një djalë, një prej atyre të shumtëve që kanë mbushur radhët e analfabetëve.

Diku, plehrat që lartësohen çdo dite, diku hidrovori që përmbledh gjithçka edhe ujrat e zeza , diku tjetër mushkonjat e mizat e tjera që zhuzhurijnë në mënyrë të padurueshme, diku më tej deti në një mpleksje që ta bën të pakuptueshme mënyren e jetesës së këtyre banorëve.

”Ka njerëz me lloj-lloj sëmundjesh dhe detyrohen vijnë për buken e gojës për të punuar këtu . i bëhen edhe nga ndotja këto semundje edhe nga dielli, mund t’i bjerë si krizë infakti ndonjë njeriut vetëm nga dielli dhe nga lodhja”, shprehet një mesoburrë.

Është e kotë të pyesesh nëse dikush është kujtuar për ta, gjithçka duket, lexohet e nuk ka nevojë për mendime të tjera të tepërta. Në mungesë të gjithçkaje, qoftë edhe një ndihmë minimale, ata përgjerohen që plehrat të mos shkojnë, të mos largohen, të mos hiqen, sepse në të kundërt për ta nuk do të kishte mbijetesë.

Është e çuditshme përballja në këtë zonë, banoret duket sikur kanë bërë pakt me vdekjen që mund t’u vijë nga semundjet për të shpëtuar jetën e vënë përposht nën morsën e varfërisë.

”Kemi ardhur për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, por këtu është shumë më keq se sa në Malësi”, ankohet një tjetër i vobektë, që arrin të sigurojë bukën e gojës mes pirgut të plehrave.

Ky është realiteti i fshehur jo larg qytetit të Durrësit. Njerez qe perpiqen te jetojne, te mbijetojne, mes plehrave, mes mbetjeve te cdo lloji, prishurinave nga ku ngrene ironikisht frymarrjen e tyre. Nje jete e mbushur me veshtiresi qe duket sikur s kane fund kurre. Me premtimet per legalizime, per nje pune te denje, per nje infrastructure normale, fjale dhe asgje me shume.

E teksa koha ecën, banoret janë sërisht aty që në orët e para të mengjesit, duke ngritur mbijetesën e tyre mes vdekjes, në mbretërinë e plehrave.

Top Channel