Gjakmarrja, shteti dhe shoqëria civile

02/07/2012 00:00

NDUE DEDAJ – Ndue Dedaj“U banë 15 vjet që pres të vendoset drejtësia.
Edhe sot e kësaj dite shkruej letra në zyrat ma të nalta të shtetit, por
marr përgjigje, sa me la gojën… I jam drejtue Presidentit, ministrit të
Brendshëm, prokurorit të Përgjithshëm etj.

Vrasësi i tim biri ka emigrue me kohë dhe unë nuk i kam mbyllun brenda njerëzit e tij, të atin, vëllaznit, apo, prite Zot, fëmijët. Pse të marr mbi vete gjynahet e tyne, tue i pengue të venë në punë, shkollë etj. Kam prit se mos vrasësin (doracin) do ta sillnin para meje për me m’kërkue falje, me m’ra në gjunj, simbas zakonit, se do ta kisha falun, por nuk e kanë ba!…” Kjo është dëshmia autentike e një burri 75-vjeçar nga Malësia e Madhe. Ky është malësori tipik, mentaliteti i tij burrëror, falës, pajtues, por jo gjithnjë atij i preken telat e mirësisë nga ndërmjetësit, teksa shteti nuk arrin ta gjejë, ekstradojë dhe dënojë autorin e krimit. Krahas njerëzve të tillë me mend në kokë, që janë dhe shumica mbizotëruese, njëzet vitet e fundit mjerisht është (sh)formuar dhe një kategori kriminale që nuk njeh as ligj, as zakon. Këta jo vetëm që kanë shkaktuar viktima të herëpashershme në bashkëfshatarët apo të afërmit e tyre, por kanë krijuar dhe deformimin e keqkuptimin më të skajshëm të Kanunit. Kanuni ishte rregullator dokesor, ligjor për ato kohë dhe jo “kobure” e ngrehur në duart e askujt. As bombë që mund të pëlciste kudo e kurdo. As minë me sahat. Ai ishte i vetmi instrument e institut mbrojtës në një shoqëri pa shtet. Kjo është e gjitha. Ambroz Marlaskaj, kur ishte deputet në Parlamentin e parë shqiptar, ishte për përshtatjen e Kanunit të Maleve me rrethanat e kohës dhe në atë mënyrë të formohej Kodi Civil shqiptar, por u kundërshtua nga disa parlamentarë, që sipas tij, donin të shartonin sheriatin me kodin napoleonik. Gjithsesi, në thelb Kanuni ishte për dikur e jo për sot, pasi pos asaj që sot kemi shtetin ligjor, të tjerë janë dhe njerëzit që veprojnë në emër të Kanunit, më së shumti abuzues, përfitues të paskrupuj, kurse në rastet e vetëgjyqësisë, shpërdorues skandalozë të dokes së vjetër. Nuk mund të ndodhte kurrësesi, në zonën e Kanunit, që të ngrihej prita pas gardhit dhe të qëllohej mbi mbarë njerëzit e një shtëpie, duke shkaktuar masakër ditën për diell, si këto ditë në një fshat të Pukës, ku qëllohet autobusi me familjarë, vriten dy vëllezër e plagosen një grua e një burrë. Për më tepër në të kremten e Shën Palit, kur faleshin gjaqe. Krimi i rëndë ndodhi për pronësi toke, që jo vetëm në malësi, po gjithkund është burim konfliktesh, si në rastin e gjykatësit të ndjerë, Konomi në Vlorë, me gjithë një vendim të Gjykatës së Lartë në favor të tij etj. Rendi i ri demokratik vërtet e ktheu tokën tek i zoti, por praktikisht metri i shtetit ende nuk e ka ndërtuar tapinë e tokave, kullotave, vijave të ujit…

 

Një vetëgjyqësi e paralajmëruar dhe mosreagimi shtetëror në kohën e duhur

Mjafton nganjëherë dhe një rast i vetëm, i bërë gjithanshmërisht publik, për të kuptuar ato që ngjajnë prapa “kuintave” të maleve dhe jo vetëm, që shpesh mjegullohen nga komentet e përcipta dhe njerëzit nuk arrijnë të kuptojnë se nuk kemi të bëjmë me Kanunin historik, po me shpërdorimin e tij. Dhe sfida është parandalimi i vetëgjyqësisë. Lexuesit e kanë të freskët rastin e një burri nga Mirdita para 7 muajsh, kur familjarisht zuri derën e ambasadës amerikane në Tiranë, për të kërkuar zgjidhje për një konflikt pronësie që kishte në fshatin e tij. U dërgua në policinë e kryeqytetit dhe atë të rrethit, ku me siguri duhet të jetë këshilluar. Me atë rast ai pati paralajmëruar se nëse nuk do t’i zgjidhej problemi, do të vepronte vetë. Mirë a keq kjo është logjika e shumëkujt në këta njëzet vjet. O me shtet, o (po nuk veproi shteti) me Kanun. Në kuptimin e daljes për zot pronës dhe jo domosdoshmërisht të shkuarjes deri në krim, paçka se rrugës gjërat shpesh trashen, dhe se nuk janë më në fuqi e në veprim pleqësitë tradicionale që zgjidhnin ngatërresat kësodore. Pse të mos e shohim problemin pra dhe nga kjo optikë, që është e lidhur me shqetësimet e njeriut për pronën, aq më tepër me psikologjinë konservatore të fshatarit në këtë mes. Vetëgjyqësia fundja e ka një të “mirë”, pasi ajo gjithmonë është “kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”, që do të thotë se të bën me dije ty si polici, komunë, komision të kthimit të pronave, shoqëri civile se ç’mund të ndodhë, të lë kohë të veprosh me ligj, ndërmjetësim etj. Po u more seriozisht dhe në kohë, e shmang të keqen. Në rastin e sipërthënë, nuk u trokit në “portën” e konfliktit në kohën e duhur…

 

Gjakmarrja nuk është ekzotike, të atillë e bëjmë ne!…

Ka ca gjëra që dhe pse thuhen sa herë, prapë tirren e pështillen pa fund. Këmbëngulet që devijimet e spekulimet të merren për “Kanun”. Si për ta davaritur këtë mjegullnajë, shkruante këto ditë Fatos Baxhaku: “Në kohët tona, të ashtuquajtura moderne, kanë ndodhur dy fenomene, kryesisht të ardhura nga padija dhe konfuzioni. Më i pari është konceptimi i Kanunit si një lloj fajtori, si një numër rregullash që i shtyn njerëzit të vrasin me krenari, me gjak të ftohtë, ndonjëherë ka edhe idiotë që e konsiderojnë Kanunin sikur të ishte një njeri i shpellave, i cili u fryn malësorëve në vesh. Në fakt, ka qenë pikërisht e kundërta…” Ka pasur jo pak mendje të ndritura që i kanë rrahur çështjet kanunore, veçmas gjakmarrjen, me urtësi e profesionalizëm, ku mjafton të përmendim një shqiptar si Ernest Koliqi dhe një të huaj (por shqiptar për nga vokacioni albanologjik) si Zef Valentini. Edhe sot ka nga ata që e bëjnë këtë, publicistë, klerikë, juristë etj., brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kush i ka ndjekur në shkrime e kumtime e di mirë se në gjakmarrjen e dikurshme nuk kishte asgjë ekzotike, si dhe në këtë të sotmen, që është kryekëput një shtrembërim i asaj të së kaluarës. Ja disa rregulla të kodit zakonor që e dëshmojnë këtë. Ndalohej me fjalë e me vepra vrasja për gjak e fëmijëve, grave, pleqve të moshuar, misionarëve të fesë etj. Kur njeriu në gjak ishte me një fëmijë përdore, nuk mund të qëllohej mbi të. Ashtu si nuk vritej për gjak ai që nuk kishte se kush t’ia merrte gjakun. Gjakmarrja kishte rregulla strikte dhe nuk mund të ndodhte në asnjë rast që të vritej femra. Për vrasjen e një gruaje bihej dyfish në gjak. Ishte e ndaluar bile të shtije dhe mbi vetë hasmin kur ai e kishte pushkën me grykë poshtë, jo më mbi të tjerët. Asgjë, pra, nuk zgjidhet duke e quajtur gjakmarrjen: arkaike, ekzotike, mesjetare, tribale etj. Ajo është njëlloj qysh nga koha e Kainit dhe Abelit (që s’i përkisnin ndonjë Kanuni). Nëse nuk vepron ligji, kudo mund të ndodhë hakmarrja, anarkia, destabiliteti. Në një vend ku zhvatet prona publike dhe ka korrupsion marramendës, doemos që do të ketë hakmarrje, për shkak të përplasjes së interesave, aferave, trafiqeve, që diku mund të përkthehet dhe si gjakmarrje. Është e rëndë të thuhet, po një shteti që i vritet deputeti, gjyqtari, kryekomunari, policët, biznesmenët, kot e kërkon fajin te gjakmarrja, e cila duhet llogaritur për aq sa është e pranishme. Sipas Policisë së Shtetit, në periudhën 2001-2005, vrasjet për gjakmarrje ishin mesatarisht 7.5 për qind në vit. Gjatë vitit 2008 nga 85 vrasje gjithsej, ato për gjakmarrje ishin 4, ose vetëm 4.7 për qind e tyre. Ky është pak a shumë raporti dhe sot. Natyrisht që dhe kaq është tronditëse dhe e pafalshme, nuk duhet të ketë as dhe një vrasje me këtë shtysë fatale, ashtu si dhe as për asnjë motiv tjetër, por dhe të përdoret herë pas here gjakmarrja si alibi e vrasjeve për hakmarrje, nuk ka kuptim. Rastet e gjakmarrjes vërtet janë dramatike e të dhimbshme, me pasoja të gjithanshme, po krahas komenteve korrekte, pse duhet të ketë dhe “hartime” antigjakmarrje, sa nganjëherë është më i qenë opinioni publik i njerëzve në rrugë, se disa opinione mediatike. E mira është t’ua vëmë veshin atyre që dinë t’i qasen asaj. “Në fakt, gjakmarrja ka perënduar me kohë e me vakt. Ajo që përmendet në media s’është veçse fantazma e saj… Kjo që për forcë zakoni mediat e quajnë gjakmarrje, s’është veçse një vrasje barbare dhe primitive që bëhet jo sipas rregullit kanunor, por si ia do qejfi individit…”, analizon Çapajev Gjokutaj. Po dhe të kundrojmë në provat e historisë duke ballafaquar me të sotmen.

Kështu, lidhur me një aspekt nga më të debatueshmit, (mos)vrasjen e (mos)ngujimin e fëmijëve Kanunisht, po sjellim një argument. Me 1910, në vigjilje të krijimit të shtetit shqiptar, Kuvendi i Mirditës, që mbahej në Shpal, merr vendimin: “Cilido që për hasmëri vret një fëmijë shkolle, t’i digjet shtëpia, t’i merret pasuria, t’i priten pemët dhe të nxirret për tre vjet nga fshati dhe bajraku”. Dhe nuk ka qenë një formulim i thatë, por një ligj i zbatueshëm, krahas dhe një forme tjetër ndëshkimi mjaft të rreptë, “grimjes katundisht” të atij që vriste një fëmijë për gjakmarrje. Çfarë mund t’i kërkojmë më shumë të drejtës sonë zakonore? E përsërisim, tjetër është devijacioni i sotëm kanunor. Ka ndodhur që dikush duke dashur të vrasë për hakmarrje një të rritur, nga errësimi i syve dhe arsyes, nuk e ka kontrolluar situatën dhe ka vrarë pa dashje një fëmijë që gjendej me personin e që i ishte vënë prita. E njëjta gjë mund të ketë ngjarë dhe me Marien në Dukagjin. Objekti i shënjestrës duhet të ketë qenë gjyshi, kurse vrasja e saj aksidentale. Po si është thënë gjithë këto ditë? Është nxjerr në plan të parë vajza dhe thuajse është “harruar” gjyshi, si të mos kishte ndërruar jetë dhe ai. Ja, pra, që ne vetë e konfigurojmë ngjarjen si ekzotike, për të thënë se është vrarë një grua… nga Kanuni, për gjakmarrje! Dikush mund të thotë e ç’rëndësi kanë të gjitha këto, fundja ajo vajzë u vra, aty në arën e saj, në moshën më të bukur, duke pasur si shkak gjakmarrjen e familjes. Për sa i përket krimit të dyfishtë, ai duhet ndëshkuar me gjithë forcën e ligjit, mundësisht përmes ndonjë gjyqi shembullor, por puna është që të mos ia vëmë ne si publik emrin krimit, por prokuroria, gjykata, pasi kështu nuk do të dimë si të sillemi as nesër në luftën me krimin e vrasjes.

 

Shteti, mes veprimit dhe mosveprimit

Natyrisht që shteti ka bërë dhe hapa kundër gjakmarrjes. Ka nene të veçanta në Kodin Penal. Ka një “Shans të dytë” që zbatohet në shkollat e disa qarqeve veriore për fëmijët e (vetë)ngujuar. Duhet saktësuar ky term, pasi edhe mendjet me të krisura nuk urdhërojnë mbylljen e fëmijëve brenda. Është më shumë frika nga e keqja, shpërdorimi, pasi jemi në kushtet e një gjakmarrjeje pa rregulla si dikur. Organet shtetërore kanë publikuar në vazhdimësi të dhëna për gjakmarrjen, kurse së fundi është përpiluar dhe një raport për këtë. Ama pranohet nga të gjithë se është mosveprimi i shtetit që çon në vetëgjyqësi, më saktë vendimet e buta të dhëna nga gjykatat etj. Shkon një i palës së vrarë te prokurori dhe i thotë, nëse i jepni dënim të lehtë vrasësit, na futët në gjak, pasi do të detyrohemi të hakmerremi vetë. Vrasësi u dënua maksimalisht me burg, kështu që pala “gjakmarrëse” u tërhoq, e quajti të mbyllur atë kapitull. Shpagimin e tyre e kishte bërë shteti. Kurse në një tjetër rreth gjykata e dënoi vrasësin me 2 vjet burg, çka nuk mund të pranohej nga pala vetëgjyqësuese, e cila pas daljes nga burgu të personit vrasës (të ikur jashtë shtetit) shtiu mbi të vëllain. Edhe për vrasjen e ndodhur së fundi në kryeqytet, u tha se një vit më parë gjykata e kishte lënë të lirë viktimën për mungesë provash, duke nënkuptuar një hakmarrje të mundshme. Kështu analizohet dukuria, pa e parë atë si diçka “ekzotike”, por pasojë e krizës morale e sociale. Për një krim si vrasja gjithkund ka ndëshkime të rënda, por ai që e merr përsipër drejtësinë mbi jetën e tjetrit është ligji i shtetit dhe vetëm ligji. Kështu duhet të ndodhë dhe te ne për çdo rast. Për më tepër që gjakmarrja e deformuar ka ngujuar përkohësisht dhe funksionarë shtetërorë: kryetarë rrethi, komunash, deputetë, drejtor institucionesh, shefa policie etj. Një polic vritet në Tiranë për gjakmarrje, i cili nuk kishte vrarë askënd e kur me kanun “vrasja për fis” ishte ndaluar që në vitin 1904. Mjafton dhe kaq që qeveritarët dhe funksionarët e tjerë të lartë t’i bashkohen protestës qytetare si shtetarë dhe qytetarë. Veçse më parë ata lipset të bëjnë detyrën e tyre ligjore për mbrojtjen e jetës së njerëzve. Për fat të keq Shqipëria sot problemin me të madh të sajin ka humbjet drastike të jetëve njerëzore, nga vrasjet, aksidentet e ndryshme etj., dhe një drejtësi të korruptuar që nuk e ndëshkon krimin. Gjyqet e ndershme dhe gjykatat ligjzbatuese e çojnë gjakmarrjen në zero.

 

Shoqëria civile dhe veprimi civil

Shoqëria civile nuk janë vetëm shoqatat, forumet, apo fondacionet që zbatojnë projekte prej vitesh në fushën e të drejtave të njeriut, zgjidhjen e konflikteve etj., që natyrisht kanë meritat e tyre. Por a nuk janë në këtë cilësi dhe elitat kulturore, shkollat, organizmat e ndryshme të zhvillimit etj. Puna është që të gjithë ta kenë me gjithë mend dhe të gjenden akordet ndryshe nga deri më sot. Kur e ndërmorën nismën intelektualët e Kosovës, nuk kishin aty as projekte e donacione të huaja, as shoqata gjithnurësh, as komitete mbarëkombëtare pajtimi dhe megjithatë bënë një nga mrekullitë shqiptare të shekullit XX. Kishin idetë e qarta, idealin e madh dhe shpirtin e bardhë. Tipari i burrave të Kanunit ishte peshimi i çështjeve sipas urdhrit të së drejtës dhe jo përfitimi përmes leçitjes së “gjakut” deri në Belgjikë e Suedi për të përfituar në emër të tij azil, strehim dhe punësim. Të jesh i shoqërisë civile nuk mjafton që të flasësh në konferenca me të huaj me kufje në vesh, në tubime me “burra zakoni” me qeleshe, të debatosh nëpër studio me ato që di, apo të shkruash nëpër gazeta në vrap. Për ata që e njohin gjendjen dhe psikologjinë e këtyre rrethanave, individët më precizë e më të ndershëm që kanë folur, kanë qenë vetë personat në gjak, një për një, i madh e i vogël, burrë apo grua. Ka aq shumë vërtetësi, emocion, dinjitet në fjalët e tyre. Ligjërimi i tyre është i pamanipulueshëm. Sidomos “Top Channel” ka depërtuar aty ku dhemb plaga e fshehur, duke sjellë dëshmi tronditëse nga koha në kohë, veçmas në sensibilizimin e fundit, duke i dhënë rastit të Maries përmasat e ngjarjes së madhe mediatike, pasi dihet që pas këtij afishimi fshihen dhe të tjera fate njerëzore.

Natyrisht që ka dhe mënyra të tjera për kontribuar në këtë mes. Tek ndiqja përmes ekranit tubimin kushtuar Maries 17-vjeçare, me praninë dhe të ambasadorit amerikan, po mendoja se dikur ishin të jashtëzakonshme misionet jezuite (fluturuese), shtëpi më shtëpi, për falje e pajtime të vështira. Protesta sensibilizon një ditë a më shumë, kurse ato misione nuk shkuleshin, me ditë të tëra, nga shtëpia e atij që duhej të falte, pa e marrë fjalën e gjakfaljes. Edhe në vitet e luftës, jezuitët kanë kryesuar pajtime në malësitë e Dukagjinit. Atyre u bashkohej e gjithë paria e vendit, njerëzit me ndikim në popull, që as sot nuk mungojnë. Personalisht, nëse do të duhej shkuar në protesta kësisoj, patjetër që do të veja, kurse po të flitet për një mision antonçetian “jezuit” që do të shtegtonte maleve, do të thosha me gjithë zemër: “Më shënoni dhe mua!” i bindur në suksesin e padiskutueshëm të një nisme të tillë. Ja, këtë mendim modest do të kisha dashur t’ia shprehja shumëkujt nga shoqëria civile, atyre që na asistojnë e mbështesin, përfshi dhe z. Aleksandër Arvizu, për praninë publike të të cilit kam mjaft respekt. Mendoj se dukuria është komplekse, hakmarrja është problemi ynë i madh: përplasjet mes bandave kriminale për larje hesapesh, vrasjet për pronësi, krimi në familje, vetëvrasjet e shpeshtuara, natyrisht dhe gjakmarrja, paçka se jehona mediatike e kësaj është më e madhe, për shkak dhe të ndjeshmërisë së lartë ndaj saj. Pa thënë se është hakmarrja ajo që në disa zona gjeneron dhe gjakmarrjen. Në një popull jo pak të shprishur nga vesi, nëpër gollat e tranzicionit, me mungesa të ndjeshme në sjelljen qytetare, shoqëria civile vetëm nëse mund të shndërrohet në edukuese e tij, do ta luante rolin e saj emancipues, natyrisht jo duke lëvizur në shëtitoret me blirë të kryeqytetit, por duke rendur nëpër shkrepat e maleve e baltën e fushave, nga vijnë më së shumti jehonat tragjike të krimit kundër jetës së njeriut.

Së fundi, janë ca gjëra themelore të kulturës së një kombi, që kur flitet për ekzistencën e tyre, jemi të gjithë në një mendje, në të njëjtën gjatësi vale, bie fjala: për himnin kombëtar, çështjet e gjuhës, boshtet e historisë, besimet fetare, monumentet etj. E Kanuni është një nga këto kolona të mermerta të trashëgimisë sonë historike, ai nuk është vetëm verior, por gjithëshqiptar, ka dhe këmbën e tij jugore, që është Kanuni i Labërisë. Donn Rubin, një jurist i njohur nga Uashingtoni, pohon se Kanuni “është pjesë përbërëse e identitetit ligjor dhe kulturor të shqiptarëve”, se ai deri diku i përkufizon ata.

Gazeta “Shqip”

Top Channel