Kriza godet sektorët jetikë

01/07/2012 00:00

Kriza e financave publike po godet sektorët më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

Rritja e borxhit në kufirin maksimal ligjor dhe rënia e të ardhurave nga taksat po e detyrojnë qeverinë të shkurtojë nga viti në vit shpenzimet për sektorët prioritarë, veçanërisht ata që lidhen me kapitalin njerëzor.

Të dhënat zyrtare nga Banka Botërore dhe Ministria e Financave tregojnë se vitin që lamë pas, shpenzimet për arsimin ranë në 2.8% e prodhimit kombëtar nga 3% që ishte parashikuar në buxhet. Ky është niveli më i ulët historik i mbështetjes publike për arsimin, madje më i ulët edhe se ai i vitit 2002, kur buxheti i qeverisë së atëhershme socialiste gati u shthur.

Por arsimi nuk është sektori i vetëm që po goditet nga kriza financiare e qeverisë. Edhe shëndetësia po përballet me të njëjtën tendencë. Në vitin 2010 shpenzimet publike për shëndetësinë ranë në 2.53% e prodhimit kombëtar, edhe ky niveli më i ulët që nga viti 2005.

Rënia e shpenzimeve të buxhetit tek këta sektorë po diktohet nga dy arsye. Së pari, të ardhurat që mbledh qeveria në buxhet në raport me prodhimin kombëtar po bien nga viti në vit. Sipas të dhënave të Fondit Monetar, vitin e kaluar të ardhurat totale të qeverisë ranë në 25.6% e prodhimit kombëtar. Ky është niveli më i ulët që nga viti 2007 dhe madje po i afrohet shifrës së vitit 2005, kur Partia Demokratike në atë kohë në opozitë, akuzonte për evazion fiskal në nivele alarmante.

Por ndërsa të ardhurat tkurren, disa zëra të shpenzimeve që lidhen me mbrotjen sociale dhe interesat e borxhit janë rritur duke lënë gjithmonë e më pak hapsirë për mbështetjen e sektorëve të tjerë. Ekonomistët i konsiderojnë arsimin dhe shëndetësinë dy sektorët më të rëndësishëm që përcaktojnë zhvillimin ekonomik të një vendi.

Ndaj, përtej efekteve negative që idhen me papunësinë dhe rënien e të ardhurave për familjarët, kriza po cënon edhe të ardhmen e ekonomisë.  

Top Channel