Rritja e pagës minimale

30/06/2012 00:00

Bizneset që punojnë me material gjysmë të gatshëm thonë se projekti i
qeverisë, që rrit pagën minimale godet industrinë e fasonit, duke rritur
kostot e prodhimit.

“Paga e punonjësve dhe sigurimet shoqërore është kostoja më e madhe për biznesin e fasonit. Në kushtet kur likuiditeti është bërë një emergjencë e momentit dhe një peshë shumë e rëndë për sektorin tonë do të thonim se kjo rritje e menjëhershme sjell një rritje të kostos së menjëhershme në këtë moment”, thotë Lindita Legisi, kryetare e Dhomës Kombëtare të Veshjeve.

Në vitin 2009, industria e fasonit u përball me pasojat e para të krizës. Eksportet u tkurrën me 15 për qind dhe shumë nga ndërmarrjet e veshjeve u detyruan të shkurtojnë forcën punëtore. Dy vitet më pas, biznesi duket se u rigjallërua duke shënuar një rritje të eksporteve dhe rikthimin e tyre para niveleve të krizës. Por problemet ekonomike të Italisë, duket se e kanë vënë sërish sektorin në vështirësi.

“Me të vërtetë ne kemi lidhur marrëveshje dhe kontrata, po çfarë ndodh? Të gjithë ato vende që janë përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë krizë, ajo që po transmetojnë ndaj nesh është mungesa e likuiditetit, vonesa, zgjatje e këtyre afateve që ne na vënë në një vështirësi jashtëzakonisht shumë të madhe”, thotë Legisi.

Në 5 muajt e parë të vitit, eksportet e tekstileve dhe këpucëve ranë me 3.7 për qind. Bizneset ankohen se rritja e pagës minimale në kushtet e krizës do të rëndojë edhe më shumë industrinë e fasonit, që është dhe një nga sektorët më me peshë në tregun e punës.  

Top Channel