Topi: Kosova, shembulli i forcës për ndryshim

29/06/2012 00:00

Presidenti Bamir Topi, në një fjalim para deputetëve në Kuvendin e
Kosovës deklaroi se shteti i ri është shembulli i forcës për ndryshim
dhe i gatishmërisë për të punuar për të ardhmen bashkë me fqinjët, duke
lënë pas të kaluarën.

“Kosova është dhe do të jetë një shtet europian dhe me prespektivë integruese dhe përparimtare” shtoi Topi.

Në fjalën e tij, Topi shprehu vlerësimet per arritjet e deritanishme, por edhe sfidat që janë përpara Shqipërisë dhe Kosovës, si dy vende me miqësi historike vëllazërore.

“100 vjet më parë burrat e shtetit dhe patriotët e shquar, Ismail Qemali dhe Isa Boletini vunë firmat në themelin e shtetit shqiptar. Sot ne përulemi me respekt të thellë para veprës së tyre dhe cdo ditë e më shumë mësojmë prej tyre se si ta duam shtetin dhe demokracinë”, tha Topi.

Mëngjesin e së premtes ai eshte pritur ne nje ceremoni solemne nga homologia Atifete Jahjaga, duke nisur keshtu viziten e tij dy ditore ne Kosove.

Pas pritjes, të dy homologët zhvilluan një takim kokë më kokë, për t’u pasuar nga takimi i dy delegacioneve respektive zyrtare, ku pritet që temat e bisedimeve plenare të përqendrohen në forcimin e marrëdhënieve vëllazërore, rritjen e bashkëpunimit të gjithanshëm në fusha me interes të ndërsjellë, shtimin e numrit të vendeve që do të njohin Kosovën si dhe për perspektivën euro-atlantike të dy vendeve tona e të mbarë rajonit.

Top Channel