Shkodër, aksidentohen turistët malazezë

29/06/2012 00:00

Një autobus me 50 turistë malazezë i linjës Nikshiq-Selanik është përfshirë në një aksident të rrezikshëm mëngjesin e sotëm në aksin Shkodër-Hani i Hotit, vetëm 6 kilometra pa hyrë në Shkodër, në vendin e quajtur Shtoj i Ri.

Fatmirësisht të gjithë turistët kanë shpëtuar pa marrë dëmtime, ndërsa kanë mbetur të plagosur shoferi i autobuzit me targa malazeze dhe drejtuesi i furgonit me targa të Shkodrës.

Autobuzi me turistë që lëvizte për në drejtim të Shkodrës është përplasur me një tjetër furgon transporti mallrash. Aksidenti ka qenë i fuqishëm dhe autobusi me turistë ka dalë nga rruga duke u përplasur me një mur rrethues, ndërsa furgoni ka bërë disa rrotullime horizontale.

Turistët janë transportuar me një tjetër autobus drejt Selanikut, ndërsa policia në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet për shkakun e aksidentit ku dyshohet se furgoni me targa të Shkodrës të ketë humbur kontrollin si pasojë e mungesës së sinjalistikës pasi rruga në fjalë prej më shumë se dy vitesh është në ndërtim dhe ende nuk ka përfunduar.

Top Channel