Ashtu si komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, edhe Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Shultz, deklaron se qeveria shqiptare duhet te marrë në konsideratë të gjitha këshillat e Komisionit Europian.

“Vetëm nëse ato zbatohen, herët a vonë Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat në BE”, deklaroi Shulz, i cili shpreson që presidenti i ri Nishani të mund t’i bashkojë të gjithë shqiptarët.  

TCH: A jeni të kënaqur me Presidentin tonë? A mendoni se me këtë zgjedhje Shqipëria është më afër statusit kandidat?

Martin Schultz, President i Parlamentit Europian – “Unë  nuk  e njoh Presidentin tuaj, si mund të jem i kënaqur me Presidentin? E meqë ra fjala, preferoj të kënaqem me të tjerë njerëz e jo me Presidentin e Shqipërisë”.

TCH: Pas takimit me ministrin e Jashtëm Shqipëtar thatë se Presidenti i ri duhet të përfaqësojë unitetin e vendit. A mendoni se kjo u sigurua tashmë?

Schultz – “Është e vështirë për mua të bëj një gjykim për këtë. Unë mendoj se Presidenti ka një detyrë: një president përfaqësues për të bashkuar të gjithë popullin. Aq më shumë kur Shqipëria ka vuajtur shumë nga ndasitë e forta brenda vendit. Dhe unë shpresoj që Presidenti i ri do të jetë në gjëndje të unifikojë vendin. Unë nuk kam njohuri më të thella rreth personalitetit dhe karrierës së tij politike. Unë mendoj vetëm që ai sapo është zgjedhur dhe ai i ka sot të gjitha shanset për ta bashkuar vendin. Ai u zgjodh në rrugë ligjore nga Kuvendi e unë respektoj plotësisht zgjedhjen e tij”.

TCH: A mendoni se Shqipëria mund të marrë statusin kandidat përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013?

Schultz: “Kam biseduar me Komisionerin Fyle për këtë çështje dhe Komisioni ka ende disa shqetësime. Unë shpresoj që Qeveria Shqiptare do të marrë në konsideratë të gjitha këshillat që Komisioni i ka dhënë qeverisë. Dhe ne tani po presim, veçanërisht sesi po bëhen reformat në vend, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit, a ka më shumë drejtësi sociale, më shumë zhvillim e stabilitet në vend. Nëse këto arritje do të bëhen, atëherë herët a vonë një vendim pozitiv është i mundur. Por, tani është shumë herët për këtë. E ju duhet të kuptoni se veçanërisht Presidenti i Parlamentit Europian duhet të tregohet i kujdesshëm, pasi është pikësëpari detyrë e Komisionit që të bëjë një propozim”.

 

Pergatiti: Arta Tozaj

Top Channel