Universitetet, qeveria miraton kuotat

28/06/2012 00:00

Qeveria miratoi në mbledhjen  e saj të radhës kuotat e reja për vitin e ri akademik që nis në muajin tetor.
Sipas këtij vendimi, këtë vit do të ulen për herë të parë në auditorete
13 universiteteve publike të vendit rreth 27 mijë e 647 studentë ose 10
për qind më shumë se vitin e kaluar.

Numri i lartë i kuotave të studimit do t’i japë mundësi rreth 70% të maturantëve të përfitojnë vende studimi me kohë të plotë në universitetet publike. Universitetet publike ofrojnë rreth 300 programe studimi.
 
Struktura dhe dinamika e pranimeve që propozohet për vitin akademik 2012-2013 i jep prioritet degëve afër tregut të punës që janë të orientuara në IT, shkencat teknike dhe shkencat natyrore. Rreth 1/3 e numrit të kuotave i përkasin IT, shkencave teknike, matematikës dhe fizikës. Kuotat në këto degë kanë pësuar edhe rritjen më të madhe 16 -20%.
              
Vetem në IT dhe fushat e lidhura me të, planifikohen të pranohen rreth 4700  studentë ose  rreth 17% të numrit total të kuotave të reja. Kuotat e degëve të gjuhëve të huaja zënë rreth 9%  (2520 kuota) të numrit total, ku mbi 50% (rreth 1300 kuota) i perkasin gjuhës  angleze. Kjo i shërben përgatitjes së mësuesve të gjuhës angleze si dhe specialistëve që mund të punojnë edhe në sektorë të tjerë .

Për kandidatët nga Republika e Kosovës dhe studentët shqiptar nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës janë planifikuar 700 kuota (2.7% e totalit).    
     
Për studentët romë dhe egjiptianë janë planifikuar 20 kuota të vecanta që pranohen pa konkurim. Po kaq kuota jane percaktuar edhe per studentët e verbër.      
 
 

Top Channel