Ministria e Financave ka reaguar për kronikën e transmetuar në Top Channel përmes një deklarate të lëshuar pasdite nga zyra e shtypit ku thuhet:

Në lidhje me prononcimin e sotëm të Top Channel për hartimin e kritereve të garës për Lotarinë Kombëtare, Ministria e Financës sqaron se ishte një manipulim fund e krye spekulativ; Z. Frederich Stainler nuk ka marrë asnjë kërkesë nga Ministria e Financave dhe as ka dhënë asnjë konsulencë kësaj ministrie për lotarinë kombëtare.

Ministria e Financës i është drejtuar dhe ka pasur kontakte me znj. Bernadette Lobjois, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës “Lltaritë Shtetërore Europiane” si organi që përfaqëson këtë shoqatë në marrëdhëniet me autoritet kombëtare për punën dhe misionin e kësaj shoqate dhe i ka kërkuar rekomandim për konsulentin që do të hartonte kriteret e lotarisë.

Ministria e Finances i është drejtuar kësaj shoqate si autoriteti Nr. 1 i Lotarive Kombëtare në Europë në të cilën marrin pjesë të gjitha lotaritë shtetërore europiane, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Financave.

Kriteret e rekomanduara nga konsulenti plotësohen nga dhjetëra kompani europiane, por natyrisht përjashtojnë nga gara kompani që kanë probleme me transparencën dhe sigurinë e lojës.

Sqarojmë autorin anonim të komentit se në bordin e kësaj shoqate marrin pjesë vetëm drejtues të lotarive europiane dhe konkretisht 11 të tilla, përfshirë të gjitha kompanitë që kanë marrë pjesë në garë, madje anëtare premium të saj janë dhe ata që nuk morën pjesë në garë dhe që tani ankohen”, mbyllet deklarata.

Top Channel sqaron se ky nuk është një prononcim dhe as një deklaratë e televizionit. Ky është një informacion që gazetarët tanë kanë hulumtuar duke u treguar qytetarëve të tjerë elemente që lidhen me një cështje që përbën shumë interes për publikun.

Kronika është paraqitja e disa fakteve të thëna me gojën e tyre nga drejtues të Ministrisë së Financave dhe më pas të verifikuara nga gazetarët tanë aspak anonimë për cështjet e financave, me një kërkim fare të zakonshëm në internet për konsulentin dhe shoqatën e lotarive kombetare europiane.

Një verifikim që do ta bënte cdo gazetar, cdo media në kuadër të transparencës dhe investigimit të një cështje me rëndësi sic është ajo e një license kombëtare. Top Channel sqaron gjithashtu se pas deklaratës për konsulentin e shoqatës së lotarive kombëtare europiane, ka sjellë në vëmendje të publikut vetëm faktin që presidenti i shoqatës në fjalë është një person që është zëvendës/drejtor i përgjithshëm i kompanisë që është në garë për të fituar licensën e lotarisë kombëtare të Shqipërisë.

Ndërsa Ministria e Financave përpiqet ta quajë këtë informacin një mashtrim, për faktin se në cilësinë e konsulentit nuk është kontaktuar presidenti i shoqatës së lotarive, por sekretarja e shoqatës së lotarisë. Top Channel ka bërë ballafaqimin e fakteve dhe deklarimeve, ndaj secili shqiptar është i lirë të nxjerrë konkluzionet apo gjykimet e tij.

Top Channel