Skandali i Lotarisë Kombëtare

27/06/2012 00:00

Një ditë më parë Ministria e Financave deklaroi se organizmi që i hartoi
kriteret e vlerësimit për tenderin e Lotarisë Kombëtare ishte Shoqata
Europiane e Lotarive Shtetërore.

“Mbi bazën e rekomandimit që ky Këshilltar ka dhënë, Ministria e Financave ka propozuar kriteret, të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me dokumentacionin teknik që duhet të përmbushë një operator, por kanë të bëjnë edhe me kriteret, ku duhet të mbështetur vlerësimi për të tillë operatorë”, tha nje dite me pare zevendesministri i Financave, Alfred Rrushaj.

Ky pohim i Ministrisë së Financave e kompromenton edhe më shumë tenderin për Lotarinë Kombëtare duke shtuar tashmë dyshime të forta për konflikt të pastër interesi. Në faqen zyrtare të Shoqatës Europiane të Lotarive dhe Organigramës drejtuese të saj, ku duket qartë se presidenti i Shoqatës Europiane të Lotarive është Friedrich Sticler. Pikërisht shoqata e zotit Sticler, përmes konsulentit të saj ligjor, ‘Vlademik Partners’ i ka sugjeruar qeverisë shqiptare që të heqë kriterin e çmimit nga tenderi për licencën e Lotarisë Kombëtare dhe t’i hartojë ato në një mënyrë të tillë që skualifikoi nga gara shumë kompani duke e kufizuar konkurrencën, në vetëm dy të tilla dhe pikërisht njëra nga këto ka një lidhje shumë të fortë me zotin Sticler.

Siç tregohet qartë në faqen zyrtare Friedrich Sticler, përvec se president i Shoqatës Europiane të Lotarive Shtetërore, mban njëkohësisht edhe postin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Lotarisë Kombëtare të Austrisë dhe anëtari i bordit të saj që prej vitit 1986. Lotaria Kombëtare e Austrisë është tashmë e mirënjohur për publikun shqiptar, pasi është një nga dy kompanitë e vetme që po garojnë për të fituar licencën e llotos kombëtare në Shqipëri dhe madje e paralajmëruar nga konkurentët e tërhequr si fituesja e paracaktuar e saj.

Që në fillim, disa kompani ndërkombëtare në fushën e lojrave të fatit i denoncuan kriteret e tenderit të vendosura nga qeveria, me rekomandimin siç pohon Ministria e Financave, të shoqatës që drejton zoti Shtikler, si shumë kufizuese dhe të hartuara në mënyrë të tillë, që përmbushen nga vetëm një kompani, që jozyrtarisht nga konkurrentët e tërhequr është paralajmëruar pikërisht kompania në bordin drejtues të së cilës ndodhet zoti Shtikler.

Top Channel