Servilizmi politik e historik

27/06/2012 00:00

FATOS BAXHAKU – Marisa Lino, ish-ambasadoreshë e SHBA-së në Tiranë edhe
përgjatë “vitit të mbrapshtë” 1997, gjatë një konference në Uashington, e
tha shkoqur e qartë: Nuk janë të huajt që i zgjidhin çështjet e
shqiptarëve, duhet të jenë vetë ata që duhet t’i zgjidhin ato!

Pak a shumë, kështu ishte mesazhi i njërës prej femrave më të fuqishme që ka shkelur ndonjëherë ndër trojet tona. E ndërkaq, megjithëse kanë kaluar shumë vjet që prej kohës kur shqiptarët, të mësuar që të tjerët t’ua nxjerrin gështenjat nga zjarri, të shamatosur me njëri-tjetrin njësoj si fëmijët e shkollës që shkojnë sakaq të ankohen te mësuesja më e vjetër apo te drejtoresha, kanë vazhduar të mëtojnë të njëjtën rrugë zhvillimi a besimi. Ca ngaqë vetë klasa jonë politike ka qenë historikisht deri në palcë servile ndaj të mëdhenjve të huaj, ca ngaqë ne të shtypit nuk kemi lënë gur pa luajtur që t’u bëjmë me dije shqiptarëve se nuk janë njerëzit tanë ata që vendosin, të këqij apo të mirë, të aftë, apo të paaftë, të korruptuar apo të pakorruptuar, të shëmtuar apo të pashëm, liberalë apo konservatorë, të ndershëm apo hileqarë, nuk ka rëndësi. Në këtë vend vendosin dhe kjo është fryma e përgjithshme e krijuar edhe me ndihën e shtypit, vetëm të huajt. Madje ata dhe numërojnë votat, atyre mund t’u ankohesh për një gjyq të humbur, atyre mund t’u marrësh mend për votimet tona, ata iniciojnë lëvizje qytetare, sikur ne të ishim jo një komb, porse një mjegullnajë njerëzore që tenton të bëjë shtet diku në një vend të humbur dhe jo bash e në zemër të Europës. Ca nga zelli ynë prej servilësh, nga të dyja palët bashkë, politikë e shtyp, e ca ngaqë edhe vetë ambasadorët miklohen sikur të jenë disa “vedette” të televizioneve, njësoj si ato që japin motin, ca nga ca është krijuar përshtypja se në këtë dhe çdo gjë ka mbaruar. E tha ambasadori i ndonjë shteti të madh, atëherë është kështu… dhe pikë, një sëmundje foshnjore që ofendon njëherazi përpjekjet e shumë vetëve të vjetër e të rinj për ta kthyer këtë vend në atë “hise të diellit” që meriton mbi dhe. Sa për t’u kujtuar duhet thënë që kjo dashuri deri në palcë për të huajt është një infeksion i vjetër. Infeksionet duhen kuruar pasi të njihen. Pikërisht prandaj po ju harxhojmë disa radhë e disa minuta kohë me kujtimet e mëposhtme.

 

Iljazi

Iljaz bej Vrioni në 1931 ishte ende ministër i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së themeluar nga Zogu I. Nuk e shante kurrë Ahmet Zogun. Diplomatët e huaj kishin zor të kuptonin se me kë do të bëhej ky njeri, diplomat i vjetër, por pakëz harapçi. Një nga njohësit më të mirë të Shqipërisë zogiste, diplomati Pietro Quaroni, asokohe përfaqësues i lartë i Italisë në Tiranë dhe, më pas, ambasadori i parë italian në Bashkimin Sovjetik në fund të Luftës së Dytë Botërore, në kujtimet e tij të titulluara “Valixhja Diplomatike”, shkruan për një episod të veçantë. Bëhet fjalë për vitin 1931. Zogu vendos të shkojë në Vjenë për të kuruar disa dhimbje të forta në stomak. Italianët e dinin fort mirë se atje ai mund të bëhej pre e ndonjë atentati të fanolistëve, sikurse ndodhi në të vërtetë. Atëherë Quaroni takon Iljaz beun, ministrin e Jashtëm të Shqipërisë dhe e pyet se si mund të jetë e ardhmja e Shqipërisë në rast se Mbreti larg qoftë… Përgjigjja e njeriut që duhej të ishte besnik i Mbretit ishte e shkoqur, fare e shkoqur, e tipit “dhimbja në forcë”. Në rast të vrasjes së Zogut Iljazi do të ndjehej: “… As edhe më i vogli ngurrim në fjalët e tij. Tërë familja ishte gati. Kushëriri i tij X do të merrej me fshatrat, vëllai i tij Yme pazarin e Beratit, ky tjetri do të gjente armë (të cilat në fakt ishin gjetur të tëra). Gjithçka ishte e qëruar, e qartë, e saktë, numri i njerëzve në pozicion, pikat që do të kapeshin menjëherë, njerëzit që do të arrestoheshin dhe ata që do të eleminoheshin në një mënyrë tjetër…”. Quaroni magjepset me këtë njeri që deri në atë moment e kishte kujtuar si një sarhosh të vjetër. “… Nuk kisha më përpara veçse senjorin e vjetër me traditën e vet shekullore të pavarësisë krenare, që ndizej nga ideja për të mbledhur edhe një herë akoma nën emblemën e vet vasalët e Vrionasve për t’i çuar drejt pushtetit”. Zogu i shpëtoi atentatit, njerëzit e tij, me siguri ia kanë thënë këtë episod – asokohe libri i Quaronit ende nuk ishte botuar – ministri plak i mbylli ditët e tij si i dërguar i Mbretërisë në Paris. Në vend të tij u emërua menjëherë Mehmet Konica. Por servilizmi ndaj të huajve dhe parave të tyre flinte ende në gjenin shqiptar.

 

Enveri i parë

Të gjithë, nga ato që kemi lexuar e dëgjuar, kemi krijuar idenë se Enver Hoxha ishte njëri prej njerëzve që në fund të jetës së tij nuk pyeti më për të huajt, aq shumë saqë e çoi këtë politikë deri në marrëzinë e izolacionizmit. Porse në shtatorin e 1946-s ai ishte ende një servil kokulur i të mëdhenjve të botës. Më 21 shtator të 1946, Çuvahin, i dërguar i Bashkimit Sovjetik në Tiranë i dërgon qendrës në Moskë një material sekret. Është një letër që mban siglën “top sekret” me anë të së cilës sovjetiku i referon qendrës ankesat që Enver Hoxha ka për njerëzit e tij, disa prej të cilëve bashkëluftëtarë të tij të ngushtë. Duket se letra është shkruar shpejt e shpejt, në disa radhë të saj ende ndjehet habia e rusit për Enverin që padiste shokët. Megjithatë ai ka vazhduar detyrën. Sipas fjalëve të Enverit, të raportuara nga rusi: “… Në Bashkimet Profesionale, në thelb prej gjashtë vetësh, punojnë vetëm Enver Hoxha (pra ai vetë), Koçi Xoxe dhe Nako Spiru, kurse treshja tjetër – Bedri Spahiu, Pandi Kristo e Tuk Jakova – si rregull nuk marrin pjesë në diskutimet e Bashkimeve Profesionale dhe në të gjitha rastet pranojnë gjithëshka që u propozojnë”. Enveri duket i inatosur me shokët e tij. Ai shton: “…Puna ka arritur deri aty saqë nganjëherë kam qenë i detyruar të ndërprisja seancat e Bashkimeve Profesionale pa marrë kurrfarë vendimesh…”. Këto fjalë të mbetura ndër dokumente të vjetër mund të duken si dokrra, por ama janë nga ato dokrra që shumëkujt i mori jetën, duke u mbështetur në servilizmin ndaj të huajve.

 

Nako kërkon ndihmë i dëshpëruar

Misteri i vetëvrasjes (vrasjes) së Nako Spiros vazhdon të mbahet ende i gjallë. Viktimë e intrigave të oborrit pro dhe antijugosllav ai u dorëzua që në moshë të re. Ishte vetëm … kur vdiq. Megjithatë edhe ai nuk i ka shpëtuar tundimit që të shpëtohet prej të huajve dhe jo prej shokëve të tij. Më 19 nëntor të 1947, një farë A.N. Gagarinov, i nargukar me punë në Tiranë mban shënim. “Sot më bëri një vizitë Nako Spiru – shkruan ai – i cili erdhi me iniciativën e tij. Vështirë që këtë ta quash bisedë, më e drejtë do të ishte po ta quaje monolog”. “Një gjë e tillë më kërcënon me vdekje – i paska thënë Nako rusit – në gjuhën tonë shqipe kjo do të thotë se unë jam armik… Tani të gjithë më janë turrur mua, unë jam fajtor për gjithshka, paçka se për të gjitha çështjet parimore që kam zgjidhur, gjithmonë kam marrë pëlqimin e Enver Hoxhës dhe të Koçi Xoxes. Mos vallë ata nuk janë në dijeni të gjërave të tilla?”. Vetëm një ditë pas këtij ankimi tek “i madhi” Nako nuk ishte më. U tha se vrau veten në zyrë me pistoletën e tij. Qëllon që edhe ankesat nuk çojnë asgjëkundi.

 

Radha e Koçi Xoxes

Nako Spiru bënte me faj për gjendjen e tij Koçi Xoxen, njeriun e Sigurimit. Fati e desh që edhe ky i fundit të trokiste me përulësi në dyert e ambasadës së Bashkimit Sovjetik. Mesazhi ishte i qartë: më shpëtoni jetën! Kam qenë besniku juaj.

Biseda mes Çuvahinit dhe Koçi Xoxes është zhvilluar më 5 nëntor 1948, pak kohë para arrestimit të tij që do ta çonte para togës së pushkatimit. Letra, e klasifikuar “sekret”, ka mbërritur në dorën e Moltovit, asokohe një nga njerëzit më të afërt të Stalinit. Koçi është mbrojtur, ka kërkuar ndihmë, ka bërë autokritikë, është treguar i gatshëm të pranojë të gjitha gabimet, vetëm e vetëm… “Me kaq biseda u mbyll. Koçi Xoxe u largua nga ndërtesa e misionit sovjetik me një gjendje shpirtërore të rënduar. Në bisedë ishte i pranishëm edhe shoku M.F. Gllaskov”, e mbyll raportin e tij Çuvahin. Fati i Koçi Xoxes ishte vendosur. Ai u pushkatua disa muaj pas këtij takimi të pafrytshëm, më 11 qershor 1946.

Historitë e trokitjeve të politikanëve në pushtet apo në opozitë ndër dyert e ambasadave të huaja, kryesisht në portën e madhe të asaj amerikane mund të vazhdojnë pa fund. Mund të vazhdojmë me “Wikipedia”-n dhe ato çka ajo na mësoi, me spiunimet e vogla e të mëdha, me hatërmbetjet e kështu me radhë. Puna është se sipas mendimit tonë modest, klasa politike shqiptare ende fshihet pas konceptit ne jemi një vend i vogël, e pikërisht andaj kemi nevojë për një aleat të madh. Ka gjasë të jetë e vërtetë, porse nëse kjo rezulton të jetë vetëm një ombrellë për të mbajtur apo për të synuar pushtetin do t’i bëjë politikanët shqiptarë po aq të ngjashëm e mbase edhe ca më poshtë Iljaz beut që pinte liker për të mbytur hidhërimin e tij. Nëse politikanët tanë do të kenë dinjitetin e duhur duke mbrojtur me ndershmëri pikëpamjet e tyre, atëherë edhe ambasadorët e huaj në Tiranë nuk do të kenë më nevojë të hyjnë në garë me askënd prej bukurosheve tona televizive. Ky është një shtet normal apo jo? Këtë e kanë thënë edhe vetë ambasadorët ndër trajnimet e shumta frytdhënëse që bëjnë anekënd vendit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel