PS: Integrimi nuk është lotari

27/06/2012 00:00

Duke krahasuar raportin vlerësues të Komisionit Europian në lidhje me
progresin e Malit të Zi, në përmbushjen e prioriteve me proceset
integruese të Shqipërisë dhe të qënit larg përmushjes së 12
prioriteve, PS ka ritheksuar shqetësimin se Shqipëria do të përballet me
një dështim të tretë në marrjen e statusit të vendit kandidat.

Deputeti Ditmir Bushati njëkohësisht kryetar i Komisionit Parlamentar të Integrimit fajësoi kryeministrin Berisha si përgjegjësin, për mospërmbushjen e standardeve më minimale të listuara nga Komisioni Europian për Shqipërinë.

“Është e qartë se Sali Berisha ka zgjedhur fantazitë e tij aventuriere të “rrugës së mëndafshit” që të çon drejt Lindjes përkundrejt rrugës europiane të Shqipërisë që të çon drejt perëndimit. E shprehur kjo edhe në zgjedhjen politike, ekonomike dhe financiare që Sali Berisha ka bërë vijimësisht, duke iu shmangur rrugës së Europës. Nuk ka dyshim se nëse vjet Shqipëria e humbi statusin e vendit kandidat kryesisht për shkak të vrasjeve 4 protestuesve të pafajshëm opozitarë në bulevardin kryesor të kryeqytetit dhe vjedhjes ditën për diell të zgjedhjeve në Tiranë, këtë vit Sali Berisha po ndjek kokëfortësisht të njejtën kahje duke emëruar President ministrin e Brendshëm dhe ministër të Brendshëm të shtetit, ministrin e Brendshëm të partisë shtet.Integrimi Europian nuk është llotari! Ndaj, Sali Berisha nuk mund të luajë bixhoz me fatin europian të shqiptarëve”, tha Bushati.
 
Deputeti Bushati theksoi se është koha që Sali Berisha të kontribuojë me vepra dhe jo të fajësojë opozitën për dështimin në përmbushjen e 12 prioriteteve.

Top Channel