Clinton letër Nishanit: Roli juaj si President, jetik

27/06/2012 00:00

Presidenti i sapozgjedhur Bujar Nishani priti sot në një takim
Ambasadorin e SHBA në vendin tonë Aleksandër Arvizu, ku u nënvizua
rëndësia e rolit të kreut të shtetit dhe kontributit të tij për forcimin
dhe konsolidimin e institucioneve të pavarura.

Arvizu i dorëzoi Presidentit të zgjedhur të Republikës Bujar Nishani edhe një letër urimi, me rastin e zgjedhjes në këtë detyrë, nga Sekretarja e Shtetit e SHBA Znj. Hillary Rodham Clinton.

“Dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të ngrohta me rastin e zgjedhjes tuaj si President i Shqipërisë. Unë pres që të punoj me ju për të ndihmuar në forcimin e demokracisë në Shqipëri dhe përparimin e aspiratave europiane të popullit shqiptar. Roli juaj si President është jetik për garantimin dhe zhvillimin e demokracisë në Shqipëri dhe unë kam bindje se integriteti dhe pikëpamjet tuaja do të përputhen më së miri me përgjegjësitë e larta që i janë besuar Presidentit të Republikës.Shtetet e Bashkuara kanë angazhimin për të mbështetur punën tuaj të rëndësishme për të garantuar pavarësinë dhe efektivitetin e institucioneve shqiptare”, shkruan Sekretarja e Shtetit të SHBA, Clinton.

Top Channel