Vizita e Berishës në Turqi

26/06/2012 22:25

Pas Strasburgut, ku prezantoi përparësitë e presidencës shqiptare të Këshillit të Europës, Kryeministri Berisha dhe delegacioni që e shoqëron ndodhen në Stamboll të Turqisë, për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi.

Gjatë fjalës së tij në takimin e mbajtur me këtë rast shefi i qeverise e vuri theksin tek rritja e bashkëpunimit mes vendeve anëtare cka do të ndihmonte sic theksoi ai në zgjidhjen e një sërë problemesh të përbashkëta.

“Shqipëria është një vend i vogël, por i mbahet angazhimeve të saj. Ne po punojmë fort për Korridorin 8-të dhe do ta ndërtojmë pjesën tonë. Ne do të lidhemi me Maqedoninë me një sistem hekurudhor. Një bashkëpunim më i fortë midis vende tona është vital për t’u përballuar me trafikimin e lëndëve narkotike. Ne jemi të vetëdijshëm se Lindja e Largët është deri tani, plantacioni më i madh i kultivimit të drogës, ndaj agjencitë tona të zbatimit të ligjit duhet të punojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën, për t’i bërë vendet tona më të sigurta nga ky lloj agresioni”, tha Berisha.

Në Stamboll, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Alijev. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Kryeministrisë, në këtë takim biseda u ndal në projektet e mëdha infrastrukturore të transportit të gazit në Europë.

Një ndër projektet më të mundshme në këtë kontekst është Trans Adriatik Pajp Lajn, i njohur si TAP-i, i cili parashikohet të përshkojë Shqipërinë në trajektoren e tij drejt Italisë dhe Europës. Një linjë e tillë pritet të sjellë përfitime të jashtëzakonshme për tregun shqiptar dhe europian.

Kryeministri Berisha zhvilloi po sot në Stamboll, një takim të përzemërt me Presidentin e Turqisë Abdullah Gyl. Duke u ndalur në takimin e Detit të Zi, Kryeministri Berisha vlerësoi vizionin e madh të ish Presidentit turk Turgut Ozal, për inicimin e këtij forumi të bashkëpunimit rajonal.

Presidenti Gül ndau të njëjtin mendim me kryeministrin Berisha se ndërtimi i infrastrukturave të rëndësishme që do të lidhin vendet e rajonit është dhe mbetet jashtëzakonisht i rëndësishëm për bashkëpunimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre. Korridori 8 u vlerësua si projekti kyç për forcimin dhe lehtësimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.

Top Channel