Liçenca për lotarinë kombëtare

26/06/2012 00:00

Pas akuzave të fundit të opozitës, Ministria e Financave deklaron se ai që e këshilloi të mos e vendoste cmimin si kriter në tenderin e Lotarisë Kombëtare, nuk ishte konsulenti ligjor që pajtoi në mars, por këshilltari ligjor i Shoqatës Europiane të Lotarive Kombëtare. 

Pas akuzave të fundit të opozitës, Ministria e Financave deklaron se ai që e këshilloi të mos e vendoste cmimin si kriter në tenderin e Lotarisë Kombëtare, nuk ishte konsulenti ligjor që pajtoi në mars, por këshilltari ligjor i Shoqatës Europiane të Lotarive Kombëtare.

“Në korrik të vitit 2010 i jemi drejtuar Shoqatës së Lotarive Kombëtare të Europës. Ajo na dha konsulentin e saj ligjor. Mbi bazën e rekomandimeve që ky këshilltar ka dhënë, Ministria e Financave ka propozuar kriteret, të cilat nuk kanë të bëjën vetëm me dokumentacionin teknik që duhet të përmbushë një operator, por kanë të bëjnë edhe me kriteret ku duhet mbështetur vlerësimi i pozitiv i operatorëve”, tha zoti Rrushaj.

Zëvendës/ministri, Alfred Rrushaj bëri të ditur edhe emrin e kompanisë që asiston Shoqatën Europiane të Lotarive dhe që sipas tij ka qenë mjaft e qartë në rekomandimet drejtuar Ministrisë së Financave.

“Është ‘Vladimir Partners BVBA’ me qendër në Bruksel dhe ka një dokument i shkruar zyrtar me të gjitha rekomadndimet që i janë dhënë Ministrisë së Financave të adoptuara sic janë dhënë në dokumentin që tashmë është publik”, tha zv/ministri.

Zëvendësministri thotë se pas këtij dokumenti ministria e financave i propozi qeverisë të miratonte vendimin me kriteret në janar të këtij viti, ku hyn në lojë dhe konsulenti i dytë, kompania suedeze Q lot, e cila sipas ministrisë së financave kishte një tjetër funksion jo atë të kritereve.

Akuza opozitës për klientelizëm

Zëvendësministri i Financave Alfred Rrushaj akuzoi kryetarin e opozitës Edi Rama se përmes shpifjeve dhe deklaratave të rreme po përbalt një procesi transparent.

Sipas numrit dy të Financave, shkaku i këtyre sulmeve të opozitës ndaj tenderit të Lotarisë Kombëtare lidhet me skualifikimin e klientit të saj, i cili nuk arriti të marrë pjesë pasi nuk plotësoi kushtet.

Por menjëhërë pas këtyre deklaratave ka reaguar kryesocialisti Rama përmes rrjetit social Twitter.

“I mjeri Bode flet edhe për një klient timin që s’paska fituar!”Klienti” im i vetëm është publiku dhe opozita mbron vetëm këtë “klient”, shkruan zoti Rama.

Sipas tij, Ministria e Financave gënjen për cështjen e konsulentit dhe se zoti Bode e ka kërkuar konsulentin vetëm pasi kishte vendosur fituesin me tender të qepur sipas masës së klientelës së vet. Kreu i opozitës thotë se opozita i di të gjitha procedurat që ka ndjekur Ministria e Financave në këtë proces, madje edhe se cilët janë ortakët e Ministrit të Financave dhe klientët e pushtetit.

“Bodja duhet të dorëhiqej, po dora i ka mbetur brenda në arkën e parave të popullit dhe nuk e heq dot! Do t’ia heqë populli me votë në 2013!” përfundon reagimin e tij zoti Rama.

Top Channel