Kanë kaluar shtatë muaj dhe Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria nuk
ka përmbushur ende deri më sot as kushtet minimale për marrjen e
rekomandimit për statusin kandidat në vjeshtë.

Në takimin përgatitor mbi mbledhjen e pestë të Komitetit të Stabilizim Asocimit PE-Shqipëri, Vassilis Maragos, shef i Njësisë për Shqipërinë në KE, sqaroi se përmbushja e Marrveshjes politike të Nëntorit, zgjedhja e Presidentit dhe dorëzimi i një numri rezultatesh të prekshme në disa fusha, iu paraqitën autoriteteve shqiptare gjatë vizitës së Majit nga Komisioneri Fule, si një paketëminimale kushtesh për tu plotësuar për statusin.

“Këto ishin tre çështjet kryesore të cilat Shqipëria duhet t’i përmbushë për të lëvizur në rrugëtimin e saj europian. Por ku qëndrojmë sot? Për zgjedhjen e Presidentit, mendoj se të gjithë në këtë sallë e kemi ndjekur nga shumë afër, dhe siç është përmendur nga disa zyrtarë të BE-së, Kushtetuta u respektua në përgjithësi. Por gjithsesi ka disa shqetësime për ndikimin që kjo zgjedhje ka patur, apo mund të ketë në të ardhmen mbi dialogun politik të vendit. Ne besojmë se kjo është diçka mbi të cilën aktorët politikë duhet të përqëndrohen, për të garantuar se do të ruhet me të vërtetë dialogu politik. Por kushti më kyç dhe më parësor, i cili do të ndikonte edhe mbi dialogun politik, por edhe pjesën e mbetur të reformave, është plotësimi i Marrëveshjes së Nëntorit. Dy çështjet kryesore u përmendën edhe nga ambasadorja dhe besoj se të njëjtin opinion ndajnë dhe të gjitha vendet anëtare, se ky është minimumi që duhet të bëjë Shqipëria në disa javët e ardhshme, për të ruajtur dialogun politik, por edhe për të krijuar kushtet për kryerjen e reformave të mbetura. Është e rëndësishme që aktorët politikë shqiptarë, si qeveria dhe opozita, nga pozicionet e tyre respektive pasi ne nuk asimilojmë përgjegjësitë e dy palëve, por të dyja palët kanë interesin dhe përgjegjësinë të punojnë së bashku për të mbyllur këto çështje që mbeten pezull. Kjo është absolutisht e domosdoshme dhe absolutisht thelbësore për ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së”, tha Maragos.

Si shembuj pozitivë Maragos përmendi zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe votimin e ligjeve me 3/5, ndërsa kërkoi bashkëpunimin e palëve për çështjen e imuniteteve dhe ndryshimet ligjore për gjyqësorin dhe shërbimin civil.

“Ne patëm emërimin e Avokatit të Popullit përmes një procesi konsensual e kjo përbën një nga nga zhvillimet më pozitive në Shqipëri që prej vitit të kaluar, do të thoja unë, për mënyrën sesi u bë, për procesin gjithëpërfshirës, për personin që u zgjodh si Avokat i Popullit, si dhe për punën e bërë nga zyra e tij prej marrjes së detyrës.Këto muajt e fundit kemi parë një funksionim normal sipas meje të Parlamentit, që prej kthimit në shtatorin e kaluar të Partisë Socialiste në seancat plenare dhe në komisione, një zhvillim shumë pozitiv dhe që ka mundësuar vazhdimin e bashkëpunimit. Kjo mundësoi votimin e të gjitha ligjeve që kërkojnë 3/5, duke plotësuar një prej 12 kritereve.”

Komiteti ndërparlamentar mbahet më 11 dhe 12 korrik në Bruksel, datë që përkon me përfundimin e afatit të reformës zgjedhore.

“Kemi informacion se do të vijë një delegacion i plotë nga Shqipëria, prej 13 deputetësh, 13 është numër ters, por këtu asnjëri nuk është supersticioz, pra, do të jëtë përfaqësim i plotë nga të dy palët, e shpresoj të jetë një mbledhje normale.  Besoj se situata po përmirësohet tani, prandaj ne duhet të mbajmë një takim standart. Standart do të thotë se do të jetë publik, do të zgjasë 2 ditë, e nuk do të ketë shkurtime, dhe rekomandimet e miratuara bashkarisht do të përfshihen në axhendën e takimit. Ky është takimi normal”, tha Kukan.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel