Ambientalistet por edhe mbrojtësit e trashëgimise kulturore, kanë
akuzuar Bashkine se po vepron pa asnjë leje mjedisore dhe në kundërshtim
me të gjitha ligjet e shtetit shqiptar.

Artan Shkreli ka kerkuar qe Bashkia te mos beje deklarata me motive politike, por te beje transparent projektin per zgjerimin e rruges se Elbasanit, si dhe lejen e ndertimin nese e disponon.


“Qytetarët duan projektin dhe lejen e ndërtimit. Situata është kaq antiligjore, sa ata nuk kanë leje të ndërtimit dhe nuk mund ta japin atë. Mbi bazën e Ligjit të ri të Urbanistikës nuk e japin dot lejen e ndërtimit. Nuk kanë një dokument bazë, ku të mbështeten për të dhënë lejen e ndërtimit. Ata duhet të kenë një plan rregullues të miratuar, ata duhet të kene një dokument nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit nga  Kryeministri Berisha, i cili konverton sipërfaqen, e ndryshon vijën e liqenit, ata duhet të kenë një dokument ku konvertohen sipërfaqet e gjelbërta në sipërfaqe ndërtimi për rrugë ose pallate. Ata duhet të kenë shumë dokumenta për të dhënë lejen e ndërtimit. Prandaj japin deklarata sepse nuk kanë leje ndërtimi për t’u dhënë qytetarëve”, thotë Shkreli.

Shkreli ka saktësuar se zgjerimi i Rrugës së Elbasanit dhe prerja e qindra pemëve po bëhet vetëm për interesa klienteliste, Bashkia e Tiranës  po zbaton një projekt i cili nuk është pjesë e planit rregullues të kryeqytetit dhe nuk është i nevojshëm për qytetarët.

Pak më herë Aleanca KuqeZi protestoi para Fakultetit Filologjik në hapësirën ku po vijohet të priten pemë.

“Kemi dalë sot këtu kundër babëzisë së radhës së qeverisë, babëzia qeveritare kësaj here drejtohet kundër Parkut të Liqenit për interesa ngushtësisht klienteliste. Ai që qesh para kamerave nga mëngjesi deri në darkë dhe që mori votën e qytetarëve të Tiranës për ta bërë Tiranën një qytet më të jetueshëm nën sloganin ‘Tirana është e para, qytetarët janë të parët’ ka vënë në zbatim planin: Tirana beton, qytetarët janë mësuar”, deklarojnë aktivistët e AK-së.

Prej disa ditësh shoqëria civile ka kërkuar ndaljen e prerjes së pemëve nga Bashkia e Tiranës e cila po vepron mbi një projekt që nuk është bërë asnjëherë transparent.  

Top Channel