Kryeministri Sali Berisha u takua me homologun kosovar Hashim Thaçi në një takim zyrtar në Tiranë ku kanë folur për ndryshimet në qeveritë e Kosovës e Shqipërisë dhe perspektivën europiane të Shqipërisë dhe Kosovës.

Pas takimit, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Berisha foli për tenderin e lotarisë kombëtare duke e cilësuar këtë proces si “transparent” dhe duke ftuar Komisionin Hetimor të opozitës ta hetojë atë.

“Procesi ka qenë publik dhe transparent, i botuar në të gjitha mediat ndërkombëtare me kritere rigoroze të përcaktuara nga qendra europiane dhe ajo botërore e llotarive. Kriteri i parë është licensa e transparencës që këto qendra ua lëshojnë vetëm disa kompanive që plotësojnë disa kritere që ju ftoj t’i lexoni. Natyrisht Shqipëria nuk mund ta shmangte këtë kriter dhe ky kriter përjashtonte një seri kompanish. Nuk impresionohem nga reagimet e bixhozxhinjve.
Ftoj Komisionin Hetimor të opozitës të kontrollojë procesin e tenderit të lotarisë”, u shpreh Berisha.

Rama: Qeveria, si tavolinë bixhozi

Pas deklaratave të kryeministri Berisha në lidhje me llotarinë kombëtare, reagoi në rrjetin social Tëitter edhe lideri i opozitësm Edi Rama.

“Në reagimin për lotarinë kombëtare KM se fshehu dot fajësinë për krimin e grabitjes së të drejtës publike. Flasin faktet e dala sot. Fakti se z. Bode caktoi konsulentin 2 muaj pas shpalljes së kushteve të tenderit është shprehje ulëritëse e një krimi të organizuar ekonomik”, shkruan Edi Rama.

Më tej ai shkruan se “Këshilli i Ministrave foli për bixhozxhinj që dashkan ta frenojnë në këtë akt, por është ai që luan bixhoz me paratë e shqiptarëve për hesap të klientëve të vet. Sali Berisha e ka kthyer tryezën e qeverisë në ruletë ku hedhin zarat biznesmenët e oborrit e ai me Boden shpërndajnë paratë e popullit të vet”, përfundon reagimi në Tëitter i Edi Ramës.

Berisha vlerëson Nokën

Në konferencën për shtyp të dy kryeministrat nuk i shpëtuan dot aktualitetit politik në vendet respektive: ndryshimeve qeveritare.

Kryeministri Berisha shpjegoi pse emëroi Flamur Nokën në vendin e Bujar Nishanit tek Ministria e Brendshme dhe komentoi kërkesën e LSI-së për ndryshime në ministritë që LSI drejton.

“Zoti Noka nuk u kandidua për gjykatës, por për një nga postet e rëndësishme të mazhorancës dhe ai ka pasur një post shumë të rëndësishëm në hierarkinë e Partisë Demokratike. Kam besim se ju gazetarët dhe qytetarët shqiptarë do të gjejnë tek zoti Noka një ministër të përkushtuar. Unë kam besim se personalitetet e propozuara nga LSI-ja do të përmbushin detyrat e besuara”, deklaroi Berisha.

Nga ana e tij, kryeministri Thaçi, i cili ka pranuar dorëheqjen e ministrit të drejtësisë dhe zv/kryeministër i qeverisë së Kosovës Hajredin Kuçi, nuk i kurseu homazhet për atë që e cilësoi një bashkëpunëtor të ngushtë. Por pa dhënë asnjë emër konkret për zëvendësuesin:

“Zoti Kuçi ka instaluar një standart të munguar në Kosovë të përgjegjësisë morale dhe do të vazhdojë të mbetet një nga bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë”, theksoi Thaçi.

Gjatë drekës së punës në Tiranë, të dy kryeministrat folën për fundin e pavarësisë së mbikqyrur për Kosovën, 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe probleme të tjera me interes për të dy vendet.

Top Channel