Gjakmarrja, krimi dhe turpi ynë i përbashkët

23/06/2012 00:00

ANDREA STEFANI – E kryer në emër të nderit, gjakmarrja është vula e
turpit dhe e krimit. Për të gjithë “ne”. Kushdo qofsh, president, lider,
kryeministër, ministër, fanatik, punëtor, militant, i papunë, emigrant,
biznesmen, intelektual, milioner, pabuks, gazetar, minator, qytetar,
malësor, fshatar e kushdo qofsh, ti je një dorëras (kështu e quan Kanuni
atë që vret për gjak) që rri në pritë me plumbin e vdekjes gati.

Por po ashtu jemi edhe ai ose ajo që bie në pritë, jemi ai që kërkon ndihmë nga “ne”, jemi fëmija që ngujohet në agim të jetës dhe po “ne” që nuk ia japim këtë ndihmë duke fajësuar shtetin. Sepse shteti i përgjumur, i vdekur, i pandjeshëm jemi “ne”. Jemi pra viktima që kërkon ndihmë dhe mbrojtje nga vetvetja dhe nuk e merr kurrë. Jemi edhe njeriu, burri apo gruaja, që vret e që vritet, që merr gjak dhe jep gjak në emër të “nderit”. Sepse me këtë Kanun të tmerrshëm antiligj dhe antishtet, “nderi” i jetës qëndron te vdekja.

***

Gjakmarrja është rrënimi më kriminal i moralit. “Ne” të gjithë, si shtet, si burokraci dhe si mizëri jemi, si në romanin “Prilli i Thyer” i Kadaresë, edhe Berishaj edhe Kryeqyqe, edhe vrasim edhe vritemi për gjak, “ne” që duke lëvizur rrotën e mullirit të gjakmarrjes ngjallim vdekjen dhe varrosim jetën. Katastrofa nuk kufizohet vetëm me të vrarët për gjak. As me të ngujuarit. Gërmadha morale është më e gjerë, më gjithëpërfshirëse. Sepse jemi “ne” që dënojmë me vdekje me heshtjen tonë, indiferencën tonë. Sepse kush hesht, pranon. Jemi fajtorë “ne” që nuk duam t‘ia dimë për kullat e ngujimit të foshnjave, të kërthive, sepse jemi ngujuar në vilat, shtëpitë, kasollet e apartamentet tona, bizneset, punët, ambiciet hallet tona, jemi ngujuar e kyçur me shula, dryna e kode të sofistikuara në egotizmat tona private duke tradhtuar jetën kudo që ajo dhunohet jashtë derës sonë dhe duke u bërë kështu, shërbyes të vdekjes. Të gjithë jemi dorërasi dhe njëherazi viktima e tij. Të vetmit të panjollë, të papërlyer në këtë odise sa totale aq edhe kriminale të vdekjes, janë fëmijët dhe mbi të gjitha, ata kërthinj të mjerë që kyçen në mes të katër mureve dhe që për t‘i shpëtuar dimrit të vdekjes, janë të dënuar të braktisin diellin, pranverën e jetës, gëzimin dhe lodrat e saj. Mos të na gënjejë mendja se ata jetojnë. Sepse thelbi i jetës, është liria. Dhe ata nuk e kanë atë. Ata fëmijë gjallojnë, por nuk jetojnë. Për të gjithë “ne”, shqiptarët, nuk mund të jetë shfajësim forca e një zakoni mesjetar që ka 20 vjet që është ringjallur si kuçedra e fshatit në përralla, duke gllabëruar jetë pangishëm. Është gjakmarrja që na akuzon, janë foshnjat e ngujuara që na akuzojnë, janë vdekjet e paralajmëruara pafundësisht dhe jetët e braktisura pafundësisht në thonjtë e vdekjes nga po “ne”, që na denoncojnë si hordhi të vdekjes. Mos bëni sikur nuk shihni, sikur nuk dëgjoni dhe s‘kuptoni! Të gjithë jemi nën akuzën e gjakmarrjes dhe fajësisë për të. Dorërasi që shkreh pushkën vrasëse jemi “ne” edhe përballë tij biem po “ne” që kemi vrarë më parë vëllain, babën apo motrën e dorërasit. Jemi ne që po vrasim veten tonë pafundësisht.

***

Tashmë edhe shteti ynë, si flamuri i tij, ka dy kokë. Njëra kokë është ligji dhe tjetra ajo e Kanunit. Por Kanuni po ia ha kokën ligjit. Një tjetër tregues i frikshëm se në vend që të shkojmë para drejt Europës, po degdisemi prapa në Mesjetë. Edhe akujt e diktaturës së djeshme po na duken më të ngrohtë. Sepse, sikundër ka shkruar edhe Ismail Kadare, bashkë me ta kishte ngrirë edhe gjakmarrja. Por ja akujt e dimrit të diktaturës shkrinë dhe bashkë me të, si një gjarpër deri atëherë i ngrirë, shkriu edhe gjakmarrja. Dhe tashmë për turpin dhe zinë tonë, pranvera e lirisë, prilli i saj, ka dy dekada që përgjaket nga një Kanun që njerëzit e hartuan në Mesjetë për të kompensuar mungesën e shtetit dhe të ligjit. Dhe e kanë gabim ata që thonë se Kanuni nuk lejon vrasjen e fëmijëve. Mjerisht, Kanuni e lejon një tmerr të tillë, ose më saktë, e ka lejuar atëherë kur s‘kishte shtet, për ta bërë shumë të vështirë marrjen e një jete, për t‘i thënë babait apo vëllait dorëras se, ndërsa qëndron në pritë dhe merr shenjë, është duke vënë në thepin e vdekjes jetën e birit, vëllait, motrës, vajzës apo axhës së tij. Kanuni nuk merr gjak vetëm te gruaja dhe te prifti. Pra, mjerisht, ndërsa morali ka vdekur është Kanuni që po zbatohet me besnikëri në emër të moralit. Ndërsa ligji jo. Ligji është braktisur bashkë me jetën. Dhe sot, gjakmarrja akuzon pikërisht për mungesën e shtetit dhe të ligjit. Sepse, nuk është shtet ai që nuk mbron dot jetën e anëtarëve të tij dhe fëmijëve të tij nga vetë anëtarët e tij. Nuk është shtet ai ku zakoni i tmerrshëm i gjakmarrjes, zakoni i vdekjes, është bërë ligj në një kohë që shpresat tona, përpjekjet tona duhet ta bëjnë ligjin zakon, ligjin që mbron jetën. Gjakmarrja nuk është nder. Gjakmarrja është krim. Mesjeta e instaloi gjakmarrjen në strukturën e moralit dhe nderit, por sot, morali i një shoqërie moderne, i një shoqërie të ligjit, drejtësisë dhe lirisë, duhet ta gozhdojë atë në shtyllën e turpit.

Mjerisht, u bënë dy dekada që shoqëria shqiptare nuk po ngrihet në një protestë të madhe në mbrojtje të jetës dhe moralit të jetës që të mbrojë nderin, moralin e saj modern. Edhe disa organizime të vogla të shoqërisë civile kundër gjakmarrjes, kanë shërbyer më shumë si një sfond aktivizmi që nxjerr më në dukje pasivitetin tonë masiv. Jemi ende larg momentit kur shoqëria do të ngrihet në një protestë që të bashkojë të gjithë shqiptarët që duan Europën dhe shtetin me ligj e liri, si të majtë e të djathtë, të krishterë e myslimanë, sepse bashkë me mëkatin tonë të përbashkët të braktisjes së jetës, ne ndryjmë të gjithë brenda nesh jetën si thelbin tonë të përbashkët. Ky thelb duhet t‘i bashkojë shqiptarët që indiferencën e përbashkët përpara plojës së mbrame të gjakmarrjes, mëkatin e heshtjes së tyre të madhe që ulërin dhe na damkos si barbarë, ta shndërrojnë në protestën më të madhe çliruese, në alarmin më të madh, në klithmën më të thekshme, më totale për jetën.

***

Gjakmarrja është dhunim i moralit dhe e ligjit. Prandaj ajo mund të luftohet me sukses vetëm me anë të një aleance totale të moralit dhe ligjit. Rëndimi i statistikave të gjakmarrjes është edhe tregues i dështimit të moralit dhe ligjit. Është tregues i dështimit të shoqërisë dhe shtetit. Një dështim që kërcënon rrënjësisht integrimin me Europën. A ka naivitet më të madh të besosh se mund të integrohet me botën e lirisë, me botën e jetës, një shoqëri që i kthen djepet në varre dhe varret në djepe? A mund të besosh se mund të integrohet me shoqërinë e ligjit, drejtësisë dhe lirisë një shoqëri që nuk është shoqëri, sepse sundohet nga kanunet e një gjendjeje pa shtet, nga kanunet e një gjendjeje thuajse natyrore? Gjakmarrja po merr gjakun e sistemit të lirisë, po thith gjakun e ligjit, po mposht drejtësinë, jetën dhe lirinë. Ata fëmijë të ndrydhur e shtypur mes muresh, duhet të na bëjnë më në fund të kuptojmë se nuk ka liri pa drejtësi, pa ligj. Dhe nuk do të ketë integrim për shqiptarët me gjakmarrjen nëpër këmbë. Kupa e mëkatit është mbushur plot gjak dhe po derdhet.

Nuk ka shpëtim për “ne” nga gjakmarrja, nëse te viktimat e gjakmarrjes nuk shohim veten tonë, të afërmin tonë. Shoqëria nuk mund të vlojë si një vullkan dhe të shpërthejë me llavë urrejtjeje kundër vdekjes, pa këtë empati që vjen nga dashuria për jetën, pa aftësinë për të marrë plagën e tjetrit, për ta bërë tënden vdekjen, dhimbjen e tjetrit. Ndaj të shtrirë, të vrarë me plumb nga gjakësi, duhet të dëgjojmë kumbimin e atyre hapave të dorarësit që largohet dhe secili prej nesh duhet të kuptojë (ashtu si Gjorgu në çastin e tij të fundit) se ata janë hapat e tij dhe se është ai vetë e askush tjetër, që po vrapon kështu duke lënë pas, të shtrirë midis rrugës, trupin e vet, që porsa e ka vrarë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel