Ndihma e mjekëve italianë në kirurgjinë në zemër

22/06/2012 00:00

Një ekip mjekësh italianë kanë ndihmuar në 10 ndërhyrje kirurgjikale tek fëmijë të vegjël me probleme në zemër të kryera në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë.

“Kësaj jave ne kemi kryer 10 ndërhyrje nga të cilat 9 kirurgjikale dhe një në hemodinamikë, 3 nga këto ndërhyrje janë bërë për herë të parë në Shqipëri. Nga këto ndërhyrje, fëmija më i vogël ka qenë 2-javësh, një rast urgjence që ka ardhur nga Kosova dhe më të madhin 12 vjeç. Dy ndërhyrje kirurgjikale që janë bërë për herë të parë dhe një ndërhyrje hemodinamikë”, deklaroi Altin Vreshti, kardiokirurg pediatër.

Sipas drejtorit të QSUT-së Saimir Ivziku bashkëpunimi me ekipe të huaja do të vazhdojë, ndërkohë mjekët tanë që kryejnë ndërhyrje kirurgjikale tek fëmijët e vegjël do të asistojnë edhe në pavionet italiane.

“Tashmë të gjithë e vëmë re që QSUT ka rritur shumë bashkëpunimin me institucionet e tjera, tashmë kemi bashkëpunime të eksperiencave të ekipeve mjekësore nga jashtë që i shërbejnë zhvillimit të aftësive më të mira të stafit tonë, por nga ana tjetër do të doja t’iu informoja edhe për një risi të fundit. Spitali Universitar në Katanzaro shumë shpejt do të hapë një pavion të tij të kardiokirurgjisë dhe risia është se ata kanë kërkuar edhe bashkëpunimin e mjekëve shqiptarë”, thotë drejtori Ivziku.
Ndërhyrjet kirurgjikale në zemër tek fëmijët e vegjël bëhen vetëm në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, madje as në klinikat private që funksionojnë në vend.

Top Channel