Mbrojtja e Parkut të Tiranës

22/06/2012 00:00

“Prerja e pemëve duhet të ndalet dhe bashkia duhet ta pezullojë këtë projekt që po gllabëron  një nga sipërfaqet  e gjelbërta më të mëdha në kryeqytet”.

Kjo ka qenë kryefjala e protestës së dhjetra ambientalistëve, të cilët prej disa ditësh kërkojnë të ndalet gjymtimi i Parkut të Liqenit Artificial në emër të projektit të një rruge i cili ende nuk është bërë transparent për publikun.

Artan Lame, kryetar i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore: Ne i kërkojmë Bashkisë së Tiranës që brenda ditës së hënë të paraqesë projektin e miratuar të prerjeve që po bëhen në Park. Nëse e kanë këtë projekt, kanë detyrimin ligjor dhe moral që t’ia paraqesin publikut.

Fatos Lubonja, analist: Këtu bëhet fjalë për një zhvillim tumorial të një qyteti, me një industri ndërtimi me interesa të këtyre të babëziturve të cilët kanë zhvilluar një tumor të madh që po na mbyt të gjithëve. Mendoj që jemi në fazën e degjenerimit total të këtij sistemi që kemi ngritur në këto 20 vjet, të mbështetur vetëm mbi interesa individësh që nuk shohin absolutisht atë që quhet interes publik, që edhe shtetin po e privatizojnë, po e përdorin si ndërmarrje private për interesa të tyre.

Xhemal Mato, ambientalist: U shtrua unaza në pjesën jugore dhe hoqi një pjesë shumë të madhe të parkut, u dha leja këtu dhe u shit toka, 3 mijë hektarë dhe iu dha një ambasade, pra një privati, tani po ndërtohet rruga dhe po hiqet një brez shumë i madh, nuk dihet sa e madhe, por deri sipër do të hiqet një sasi e madhe pemësh të Parkut. Tirana vuan me një copë mushkërie e cila po copëtohet nga dita në ditë. Çfarë do të bëhet me Parku? Parku i madh nuk ka një status mbrojtës.

Kësaj proteste i janë bashkangjitur edhe dhjetra deputetë të Partisë Socialiste. Ambientalistë dhe mbrojtësit e trashëgimisë kulturore kanë përshkruar në këmbë të gjithë vijën ku ekskavatorët po punojnë duke shkatërruar dhjetra pemë e duke prekur edhe pjesën e Varrezave të Dëshmorëve si dhe një pjesë të rrethimit të “Pallatatit të Brigadave”.

Top Channel