LSI, propozon ndryshime në qeveri

22/06/2012 00:00

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta propozoi ndryshime në kabinetin qeveritar. Ndryshimet do të prekin dikasteret e kabinetit që kanë për titullarë përfaqësues të LSI-së, sipas marrëveshjes së arritur mes dy forcave politike në koalicion që pas zgjedhjeve të 2009-ës.

Zoti Meta doli në një konferencë për shtyp në orët e mbrëmjes së premte ku deklaroi se qeveria ka nevojë për disa ndryshime që pritet të ndërmerren jo para muajit shtator. Në propozimet e kreut të LSI-së, Edmond Haxhinasto, aktualisht Ministër i Jashtëm zhvendoset në krye të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, ku do të zëvendësojë ministrin aktual, Nasip Naço. Haxhinasto do të mbajë edhe postin e zv/kryeministrit.

Ndërkohë, në postin e kryediplomatit propozohet Edmond Panariti, ndërsa Nasip Naço do të marrë detyrën e nënkryetarit të Kuvendit, që do të lihet nga Vangjel Tavo. Tavo nga ana e tij propozohet për Ministër Shëndetësie duke zëvendësuar kreun aktual, Petrit Vasili.

Gjatë së njëjtës konferencë për shtyp, Ilir Meta njoftoi edhe datat e mbajtjes së Konventës së LSI-së që do të jetë më 29 dhe 30 Shtator. Më 22 shtator do të zgjidhet me parimin “një anëtar, një votë” kryetari i LSI-së, ndërsa Konventa do të mbahet më 29 dhe 30 shtator.

Top Channel