Lotaria, Rama: Tenderi, veprimtari kriminale

22/06/2012 19:35

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama reagon për herë të parë publikisht për tenderin e shumëpërfolur të lotarisë kombëtare. Në një intervistë për Top Channel zoti Rama e quajti tenderin një veprimtari kriminale dhe deklaroi qartazi se opozita nuk do ta njoh atë.

“Kjo është një veprimtari haptazi kriminale në dëm të publikut dhe të interesit publik. Une dua ta bëj të qartë se ne nuk do ta njohim këtë dhe do ia kthejmë publikut këtë të drejtë duke e vënë në vend atë në dispozicioni të publikut”, tha zoti Rama.

Zoti Rama tha se qeveria nuk mund të shesë një të drejtë, ku nuk ka garë për çmimin dhe i quajti të papranueshme deklaratat e Ministrit të Financave, sipas të cilit qeveria do i kompensojë paratë përmes taksimit me 10 përqind të kompanisë fituese.

“Është publiku që përmes shtetit duhet të përfitojë përqindjen e përmbysur të asaj që tha Ministri i Financiave. Jo 10 përqind, por 90, 85, minimumi 80 përqind për shtetin dhe pjesa tjetër për gjithë anën e operimit”, deklaroi kreu socialist.

Kreu i opozitës thotë se lotaria kombëtare nuk është si lojrat e rëndomta të fatit, por një e drejtë publike, që u takon qytetarëve dhe jo klientëve të pushtetit.

“Kryeministjra Thatcher në Angli, kur futi lotarinë e ktheu në një mekanizëm për nxitjen e arteve, sporteve dhe politikave sociale, ashtu si në vendet e tjera ku është e njëjta logjikë, ndërsa logjika që ka udhëhequr këtë tender tek ne është grabitja e të drejtës së publikut në favor të klientëve të pushtetit”, u shpreh Rama.

Tenderi për lotarinë kombëtare vjen pak kohë pas ligjit për privatizimin e Albpetrol, edhe ky një proces i shoqëruar me debate të forta për shkak të formulës që nxjerr në shitje të drejta që deri tani kanë qenë ekskluzivisht të shtetit

“Ajo çka i sugjeroj këtyre zotërinjve, që po shkojnë nga grabitja në grabitje dhe pasi kanë grabitur dhe po grabisin pasuri të patundshme, kanë hyrë në fushën e  grabitjeve të të drejtave të publikut, të mbajnë parasysh të drejtat europiane dhe të mos harrojnë në asnjë moment se aty janë për të qeverisur në interes të publikut”, shtoi Rama.

Pavarësisht denoncimeve dhe akuzave të forta nga disa kompani private Ministria e Financave zhvilloi dy ditë më parë tenderin për liçencën e lotarisë kombëtare ku u paraqitën vetëm dy kompani.

Top Channel