Në Asamblenë Kombëtare të Forumit Rinor Eurosocialist, Edi Rama e vuri theksin tek gjithpërfshirja e të rinjve në politikë si mundësia që ajo të rifreskohet dhe të bëhet pjesë e një mëndësie të re europiane.

Në fakt aktiviteti ku konstituoej asambleja e FRESH ka nisur me mosmarrëveshje në raport me disa anëtarë të cilët nga kryetarja e re, Elisa Spiropali pretendohej se duhet të ishin pjesë e kësaj strukture. Por sipas burimeve zyrtare nga selia rozë këto nuk ishin pjesë e listës së asamblesë së votuar në kongresin e fundit zgjedhor.

Kjo mosmarrëveshj sipas tyre ka sjellë largimin nga salla të kryetares Spiropali së bashku me anëtarët e papranuar, ndërkohë që punimet kanë vazhduar normalisht.

Zoti Rama në fjalën e tij nuk e përmendi largimin e Spiropalit, por theksoi se Partia Socialiste ka në qëndër të programit të saj shqiptarët duke i dhënë fund asaj që ai e quajti politikë personale që ka uzurpuar sot e 20 vjet të gjithë vendin.

“Jemi një forcë e cila është qartësisht e përcaktuar në një ndryshim radikal të bazuar në një program të ri, “Për një rilindje shqiptare”. Një forcë që ka një mision të qartë punësimin për t’i dhënë fund inercisë së rritjes së vazhdueshme të papunësisë, një forcë që ka synim vendosjen e taksimit të ndershëm dhe zhbërjen e sistemit të mbrapshtë të taksës së sheshtë, një forcë e cila është qartësisht e vendosur t’i japë sipërmarrjes mbështetjen e duhur dhe një konkurencë të lirë dhe për të shkatëruar monopolet” tha kryetari i PS, Edi Rama.

Lideri i opozitës ka renditur një sërë objektivash që Partia Socialiste do të realizojë menjëherë pas marrjes së pushtetit në zgjedhjet e ardhshme.

Gjithcka zoti Rama e lidhi me rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në jetën politike si një pjesë e rëndësishme sic e cilësoi ai të ndërtimit të Shqipërisë së re.

Top Channel