Shoqëria nuk duhet të qëndrojë vetëm në pritje dhe heshtje, që politika
të zgjidhë problemet e saj. Njerëzit duhet të ngrenë zërin për të
drejtën dhe fatin e vendit të tyre.

“Act Now!”, kjo është ftesa që u ka bërë shqiptarëve ambasadori amerikan përmes një fushatë që u shpall në Tiranë, në prani të aktorëve më të rëndësishëm të shoqërisë civile, hapësira e së cilës, sipas tij, vitet e fundit është ngushtuar ndjeshëm.

“Disa prej jush mund të kujtojnë që pak kohë më parë u takuan me një vizitor nga Washingtoni. Une dhe ai u goditëm nga një shprehje e njërit prej jush, i cili tha se vitet e fundit hapësira, ku vepron shoqëria civile është zvogëluar ndjeshëm dhe kjo na goditi të dyve. Sepse pergjigjja nuk është në krijimin e një zyre qeveritare që mbikëqyr dhe drejton shoqërinë civile. Pergjigjja është tek dhënia e më shumë hapësire,jo vetëm shoqerisë civile, por edhe individëve, në mënyre që t’u përgjigjemi sa më shumë shqetësimeve të qytetarëve. Të dëgjojmë atë që kanë për të thënë”, tha Arvizu.

Në prani të qindra pjesëtareve të shoqërise civile dhe qytetarëve, ambasadori amerikan ka renditur disa nga çështjet më të rëndësishme që në ditët e sotme po rëndojnë mbi gjithë shqiptarët dhe për të cilat qytetarët shqiptarë, nuk duhet të heshtin.

“Kam një pyetje.Përse është penguar realizimi referendumit për plehrat? Përse KQZ-ja, e cila duhet të veprojë brenda një afati kohor të përcaktuar nuk ka dhënë një pergjigje, edhe pse kërkesa është firmosur nga më shumë se 50 mije qytetarë? Le te ndalemi pak tek kjo nismë, që është ‘Vepro tani!’ Kjo është për çdo qytetar të Shqipërisë dhe është për ndryshimin qe ne duam, për atë që gjendet në çdo cep të ketij vendi të bekuar, që gjendet në pikëllimin e studentëve dhe pedagogëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan, ku një autobus i mbushur me studentë ra në një luginë, nga një qafë e rrezikshme pranë Himares;gjendet në hidherimin e një familjeje në Dukagjin, ku një vajze 17-vjeçare u be pre e një dhune të pakuptimtë, e cila s’duhet të ketë vend në Shqiperinë e shekullit të 21-të;gjendet tek banorët e Sarandës, të cilët kanë parë sesi qyteti i tyre ka humbur nga hijeshia e është kthyer në një kanion të betonuar; gjendet ne Gjirokastër, ku qytetarët shohin sesi bien shtepitë historike; gjendet ne Tiranë, ku nga drejtimi i makinave lëvizja është e rrezikshme për kembesorë, por edhe ngaresit e makinave, ndaj ‘Vepro tani!’, tha Arvizu.

Edhe pse kanë kaluar 22 vite nga momenti i ndryshimit të regjimit, shqiptarët ende nuk e kanë arritur ëndrrën e tyre. Ambasadori amerikan Aleksander Arvizu, ka shprehur mbështetjen e tij ndaj gjithe shqiptarëve që kërkojnë të drejten e tyre.

Me pas figura të rëndësishme të vendit tonë si Ismail Kadare, Alfred Moisiu kanë firmosur në mënyrë simbolike këtë nismë.

Më pas ambasadori amerikan i shoqëruar edhe nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka vizituar një panair të organizatave të shoqërisë civile, të cilat janë aktivite në shumë fusha. Simbol të reagimit të qytetar, organizimit të pavarur dhe denoncimit të problemeve, me të cilat përballen shoqëria dhe veprimit të pavarur, ata kanë ekspozuar momente nga aktivitetet e tyre, duke u bërë thirrje edhe qytetarëve të thjeshtë, që të bëhen pjesë e aksioneve të tyre konkrete. Vullnetarizmi, mjedisi, edukimi qytetar, reagimet kundër drogës, të drejtat e njeriut, ishin fushat ku vepronin organizatat pjesëmarrëse në këtë panair.
 

Top Channel