Marshimi kundër gjakmarrjes

20/06/2012 20:00

Në orën 19:30, ditën e mërkurë, përpara Piramides u mblodhën  shumë njerëz në një protestë kundër gjakmarrjes, duke marrë shkas nga vrasja në Shkodër e 17-vjeçares Marie Qukaj.

Vajza u qëllua me armë së bashku me gjyshin e saj teksa po punonte tokën.

Emisioni i “Pasdites” në “Top-Channel” i kushtoi të gjithë vëmendjen e tij kësaj ngjarje, për të luftuar këtë fenomen prapanik, i cili nuk njihet nga ligji, por që vazhdon të marrë jetë të pafundme të pafajshmish.

“Marshimi” ndaj gjakmarrjes u organizua nga kryeredaktori i redaksisë së lajmeve të “Top-Channel”, Mentor Kikia, një nismëtar i luftës kundër gjakmarrjes dhe vetgjyqësisë prej më shumë se dhjetë vitesh.

Të pranishëm përkrah tij në studio ishin sociologia Merita Poni dhe Agim Loçi, kryetar i institutit të “Drejtësisë dhe Pajtimit Kombëtar”.

I pari që nisi bisedën e tij në studio ishte Kikia, i cili shpjegoi arsyen përse ai u shndërrua në nismëtar të tubimit paqësor. “Ideja për organizimin e tubimit homazh lindi menjëherë pas ngjarjes së rëndë, pasi unë si gazetar jam rregjur me këto lajme, 16 vjet me këto fenomene, por vrasja e Marias kishte diçka më tronditëse se të gjithë rastet e tjera. Ajo ishte një vajzë e pafajshme, por të nesërmen kishte një heshtje dhe mediat pothuajse në tërësi, përfshi shtypin e shkruar, brenda 24 orësh u kthyen në normalitetin e lajmeve, thashethemeve të verës, në politikën e lodhshme, etj. Nuk mund të pranoja që edhe ky krim të kalonte në heshjte. Ne si shoqëri nuk duhet të rrimë në atë guackën tonë, ndaj mendova çdo të kishte ndodhur në një vend tjetër. Kështu vendosa t’i ftoj njerëzit në rrjete sociale të mblidhemi bashkë të japim një lajm dhe s’ka rëndësi sa njerëz do të mblidhen, por e rëndësishme është që Maria do të marrë të gjithë vëmendjen tonë, pasi arsyeja përse ajo nuk është më, duhet të na vërë përpara përgjegjësisë të gjithëve si shoqëri”.

Nga ana e saj, duke komentuar fenomenin, sociologia Poni u shpreh e tronditur nga mësimi i faktit që vrasja e adoleshentes nuk ishte një gabim, por një akt i paramenduar prej gjakësve. “Kjo është një ngjarje tronditëse. Ndonëse nuk është hera e parë që ndodh, rrethanat tregojnë se Maria paska qenë goxha larg gjyshit, ndaj shënjestra nuk ka qenë vetëm gjyshi. Vrasësit e kanë kryer aktin me mendje të ftohtë. Mendova se do të ishte një aksident, mendova se në mënyrë të pavullnetshme e zunë plumbat, prandaj tani më vjen edhe më keq. Kjo është një vrasje në koshiencë të plotë, një hakmarrje e verbër ndaj kujtdo që i del përpara dhe këtu nuk gjej lidhje me Kanunin”.

Asnjë lidhje me Kanunit nuk gjen me këtë vrasje edhe “kryemisionari” i pajtimeve dhe faljes së gjakut, Agim Loçi. “Kësaj nuk i thuhet gjakmarrje dhe as Kanun, sepse në Kanun shkruhet as gratë, as vajzat, as fëmijët, as pleqtë, as prifti dhe as njerëzit me aftësi të kufizuara nuk vriten për gjakmarrje. Unë nuk i di arsyet e vrasjes, jam i tronditur si i gjithë opinioni publik, nuk di si ta komentoj këtë situatë. Ne ndihemi shumë keq si misionarë të paqes dhe fenomeni ka marrë përmasa të frikshme. Shteti duhet të funksionojë, duke bërë apel që të zbatohet ligji dhe të vendoset në përgjegjësi kushdo që vret për gjakmarrje. Djali në Mamurras, disa ditë më parë, u tha se ishte një vrasje pa dashje. Ka pasur edhe raste të tjera të vrasjes së femrave, me apo pa dashje dhe këtu nuk hyn Kanuni. Sot, duhet të funksionojë shteti dhe ligji”, u shpreh Loçi.

Nga ana e tij, Zoti Kikia, deshi të vendoste në dukje faktin se për opinionin publik, pak rëndësi fakti nëse e reja u vra gabimisht apo jo. “Duhet të ndajmë dy gjëra. Edhe sikur Maria të ishte vrarë gabimisht, askush nuk do të kishte guximin të thonte ta lëmë këtu këtë çështje, sepse u vra pa dashje, si fëmija i vrarë në prehër disa ditë më parë në Mamurras. Duhet të kemi të njëjtën koshiencë për brutalitetin që u qëllua si gjyshi, ashtu edhe Maria, që po e portretizojmë si njeriu që iku nga kjo botë pa nisur jetën”.

Duke vazhduar apelin e tij publik, Kikia shtoi: “Në çdo moshë të jesh, vrasja për gjakmarrje është e rëndë dhe fakti që këtu s’ka Kanun është e vërtertë, por kjo është e keqja më e madhe, pasi duke iu referuar vetë Kanunit, ai është shkelur tre herë në këtë histori. Kanuni ndalon ngujimin, por edhe vrasje në kohë mbjelljesh si dhe shprehimisht e rreptësisht ndalohet vrasja e femrës. Kanuni nuk është i keqi, ka qenë kodi penal i njerëzve kur s’kishte drejtësi, ndërsa gjakmarrja ka shumë kohë, është shumë më e hershme se sa formulimi i saj nga një njeri që kishte shkollë dhe ishte i edukuar, si Lekë Dukagjini. Kanuni e përfshiu gjakmarrjen si normë, por e kufizoi atë dhe i vendosi rregulla. Ky është një krim që kryhet për gjakmarrje, por gjakmarrja i ka dalë duarsh dhe Kanunit dhe shtetit. Ky është krim pa rregull, sepse edhe Kanuni e kishte vendosur mbi shina gjakmarrjen. Kur jepej besë atëherë, shqiptari zotohej dhe s’kishte njeri që ta shkelte, por sot shqiptari është ndëruar ndër popujt më të pabesa në botë”.

Duke argumentuar arsyet e gjakmarrjes, Kikia vlerësoi se: “Gjakmarrja ka rrënjë të thella dhe s’ka lidhje me Kanunin dhe vetgjyqësinë. Ne si racë kemi një marrëdhënie të keqe me shtetin dhe përpiqemi të zgjidhim vetë problemet tona. Konfliktet që janë të hapura sot, që kanë prodhuar familje të ngujuara, kanë qenë arsye banale. Këto arsye përpiqemi t’i zgjidhim mes nesh. Duhet bërë shumë në aspektin e edukimit, që kjo të mos ndodhë më në të ardhmen”.

Top Channel