Ambasadorja Muler, mulliri prusian dhe mullixhiu Berisha

20/06/2012 00:00

ANDREA STEFANI – Projekti i shtetit ligjor në Shqipëri është i dënuar të
vuajë jo vetëm prapambetjen e elitës politike vendase, por edhe
mangësitë dhe papërgjegjshmërinë e disa diplomatëve të shteteve
perëndimore në Tiranë.

Pohimi bëhet i detyrueshëm, kur pas dështimit për zgjedhjen e një presidenti konsensual, shikojmë ambasadorë perëndimorë të deklarojnë se nuk paska ndodhur asgjë e keqe. Madje përkundrazi, paska ndodhur një gjë e mirë, janë shmangur zgjedhjet e parakohshme! Një deklaratë të tillë të gjymtë, të zhveshur nga ndjeshmëritë më thelbësore mbi politikën shqiptare, sapo bëri edhe Carola Müler Holtkemper, ambasadore e Gjermanisë në Tiranë. “Parlamenti shqiptar zgjodhi presidentin e ri në një proces kushtetues dhe kjo është më e rëndësishmja. Sigurisht që ne dhe të tjerë kishim shpresuar të arrihej konsensusi… Unë jam optimiste që, si President, ai do të përpiqet të përfaqësojë vërtet “unitetin e popullit”…Procesi ishte korrekt në përputhje me Kushtetutën. Zgjedhjet e parakohshme mundën të parandaloheshin”, tha Müler. Njeriu nuk mund të mos mbetet pa fjalë kur dëgjon një deklaratë të tillë që s’ka asnjë lidhje me prononcimet e derisotme të ndërkombëtarëve. Madje edhe të ambasadores Müler vetë. Sepse a nuk ishin të gjithë ata që me të drejtë sugjeruan me këmbëngulje për zgjedhjen e një presidenti konsensual? Por ja, tani na dalka që presidenti konsensual nuk paska qenë diçka e rëndësishme krahasuar me…shmangien e zgjedhjeve të parakohshme!

***

Si do ishte më mirë për Shqipërinë, të arrinte te një president konsensual, qoftë edhe me koston e zgjedhjeve të parakohshme apo të shmangte zgjedhjet e parakohshme me anë të zgjedhjes së një presidenti jo konsensual? Ne mendojmë se, për një vend me tradita të forta patriarkale dhe tendenca gjalluese autokratike si Shqipëria, opsioni i parë është më i miri. Por ai opsion u shkatërrua me ndryshimet e Kushtetutës më 21 prill 2008. Prandaj edhe ambasadorja Müler ka të drejtë të thotë sot bashkë me Kryeministrin Berisha se zgjedhja e Presidentit u bë “në përputhje me Kushtetutën”. Ajo shton se “kjo ishte më e rëndësishmja”. Në fakt, nuk është ashtu. Më e rëndësishmja ishte që Kryeministri të pranonte konsensusin me opozitën dhe të zgjidhte president jo një delfin të tijin, sikundër edhe bëri. Më e rëndësishmja për demokracinë dhe ndarjen e pushteteve ishte që Berisha të kish ndjekur shembullin e Kryeministres gjermane Merkel, duke zgjedhur president një kandidaturë jo nga partia e saj. Kjo do kish qenë që vetë respektim i germës së Kushtetutës por edhe i frymës së saj. Çudia është se Müler e shikon kryeministrin shqiptar të bëjë krejt të kundërtën e përvojës që vjen nga vendi i saj e megjithatë nuk e ka problem të thotë: mirë!

***

Ndërkaq ambasadorja Müler shfaqet krejt dritëshkurtër të parashohë pasojat e rënda që do të ketë për ndarjen e pushteteve, pra edhe për lirinë e demokracinë në Shqipëri, vendosja në postin e presidentit jo vetëm të një partiaku, por të një partiaku që i përket një partie dhe pushteti me tendenca të rrezikshme autokratike. Është e habitshme sesi ambasadorët gjermanë në Tiranë, po tregohen shumë pak të ndjeshëm për sa i takon zbatimit praktik të parimit themelor të demokracisë liberale që është ndarja e pushteteve. Themi është e habitshme, sepse gjermanët kanë vuajtur nga dhunimi i këtij parimi jo vetëm nën pushtetin totalitar të Adolf Hitlerit, por edhe nën diktaturën bolshevike të instaluar për disa dekada në Gjermaninë Lindore. Prandaj dhe pritej që diplomatët e ardhur prej andej, të ishin më të ndjeshëm ndaj një parimi si ndarja e pushteteve, dhunimi i të cilit, nuk mund të mos bëhet gjenerator i qeverive absolute dhe shtypëse. Por nuk është vetëm përvoja e hidhur. Është dhe një tjetër përvojë e shkëlqyer, ajo e shtetit ligjor që në kohën e Prusisë, që duhet t’i bënte diplomatët gjermanë, fanatikë të ndarjes së pushteteve. Fëmijët shqiptarë mësojnë sot, nga libri i gjuhës i klasës së 5 fillore, një fabul mbi perandorin prusian që donte të ndërtonte një pallat në truallin ku ngrihej një mulli, pronë private e një mullixhiu (moler). Pasi mullixhiu kërcënoi se do t’i drejtohej gjykatës, Perandori u tërhoq. Një mrekulli e tillë ishte rrjedhojë e ndarjes së pushteteve. Një mrekulli që edhe Hegel e përmend si “fabula e Müler” dhe që ndodhi në truallin gjerman kur Gjermania ende nuk ekzistonte, pikërisht për shkak të ndarjes së pushteteve. Por që në Shqipëri nuk por gjen zbatim edhe sot në Mileniumin e ri, pikërisht për shkak të mosndarjes reale të pushteteve. Nja katër vjet më parë, ishte edhe paraardhësi i Müler, ambasadori Bernd Borchard, që mbështeti me entuziazëm të pazakontë ndryshimet e Kushtetutës, ndonëse disa zëra në median dhe politikën shqiptare parathanë se një “reformë” e tillë, do kishte si rrjedhojë kapjen edhe të postit të presidentit nga cilido të ishte në qeveri. Dhe ja ku jemi tani: kemi një president të kryeministrit. Borchard nuk ndodhet më në Tiranë dhe askush nuk mund t’i kërkojë llogari atij për këto që po ndodhin dhe që nuk mund të mos lidhen edhe me atë diplomaci aspak në frymë perëndimore të ndjekur prej tij në këtë rrafsh. Ndërkaq nuk mund të mos konstatojmë me shqetësim konfliktin mes misioneve relativisht afatshkurtra të diplomatëve dhe ndikimit të tyre të pazakontë në vendimmarrje me rrjedhoja afatgjata për shtetin ku tranzitojnë. Një status që edhe pse me rrënjë te politika konfliktuale vendase, i bën ata të papërgjegjshëm për rrjedhojat afatgjata të diplomacisë së tyre në vendet që hedhin pas krahëve kur largohen. Kjo përbën një problem të madh nga se është një thuajse vendimmarrje që nuk ndëshkohet me votë dhe se do jenë shqiptarët që do vuajnë pasojat e reformave vërtet të ndërmarra nga politikanë shqiptarë, por të mbështetura dhe sponsorizuara fort nga diplomatë të huaj. Sikundër ndodhi edhe me reformën e Kushtetutës, pasojat e së cilës shqiptarët po i vuajnë sot, por do t’i vuajnë edhe nesër e pasnesër.

***

Pasardhësja e ambasadorit Borchard na thotë se, edhe pse nuk u zgjodh një president konsensual, nuk është dhe aq keq. Madje shpreh optimizmin se Nishani do jetë një president që do përfaqësojë “unitetin e popullit”. Dhe shton se pas kësaj, duhen bërë edhe reformat e tjera, si ajo zgjedhore, parlamentare, si dhe duhet thelluar lufta kundër korrupsionit. Se nga i buron ky optimizëm diplomates gjermane, vështirë ta thuash, por përvoja shqiptare e këtyre 20 viteve tregon se, me përjashtim të presidentit konsensual Alfred Moisiu, presidentët partiakë kanë mbështetur, në një masë ose në një tjetër, interesat e partive apo krahëve politikë nga kanë dalë. Mbi të gjitha, ata nuk kanë qenë të aftë të kontribuojnë në vënien në praktikë të parimit të ndarjes së pushteteve. Jo rastësisht, 20 vjet pas rënies së një sistemi pa drejtësi, pushteti i drejtësisë mbetet nga më problematikët në Shqipëri. E si mund të shpresohet që të ecë përpara reforma në drejtësi e bashkë me të edhe lufta kundër krimit e korrupsionit, kur koka e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, do jetë një person deri më sot besnik i një kryeministri dhe klani politik, që kërkon t’i shpëtojnë drejtësisë, duke penguar drejtësinë? Nuk është e vërtetë?! Në mos e bindshin alarmet e gazetarëve shqiptarë, Müler mund të rilexojë edhe një herë këto alarme të shprehura nga ish-ambasadori amerikan Withers, jo vetëm në disa letra të hapura, por edhe në kabllogramet e “Wikileaks”. E themi hapur. Krejtësisht ndryshe nga Müler, ne nuk jemi optimistë se Bujar Nishani do arrijë të sublimohet duke u shndërruar në një president që do të hyjë në konflikt (mjerisht s’ka rrugë tjetër për të ndalur autokratin Berisha) me Kryeministrin duke e penguar atë të caktojë kryeprokuror një besnik të vetin apo duke mos e lejuar të kapë edhe më fort pushtetet dhe institucione të tjera. Do të duhen vetëm pak muaj që të vërtetohet një gjë e tillë, që do dëshironim të mos ndodhte. Por nëse vërtet ndodh, si do ta justifikonte ambasadorja Müler optimizmin e pa themel, pra të cekët që shfaq sot? Jemi të bindur se sikur të ndodhej mes nesh mullixhiu prusian, që mposhti Perandorin, duke e kërcënuar se do ankohej në gjykatë, do qortonte bashkatdhetaren e tij Müler që, shekuj më pas, neglizhon aq rëndë parimin lirisjellës dhe shpëtimtar të ndarjes së pushteteve. Dhe Shqipërisë, e sfilitur nga autokratizmi dhe korrupsioni, i duhet më shumë një mullixhi si ai i Prusisë, që e ka kuptuar leverdinë e ndarjes së pushteteve sesa një diplomate si Müler, që nuk e ka kuptuar ende se edhe Gjermania e sotme ka si themel ndarjen e pushteteve që ajo e neglizhon hapur në Shqipëri. Ndërkaq vetëm një tjetër “Müler”, shfaqet plotësisht dakord me diplomaten Müler. Ky është Berisha, mullixhiu i autokratizmit, që e kupton se deklarata si këto të ambasadores Müler shpien ujë vetëm në mullirin e tij. Një mulli që ndryshe nga i prusiani, mund të përjetësohet jo nga ndarja por nga përqendrimi i të gjitha pushteteve në duart e “mullixhiut”.

Gazeta “Shqip”

Top Channel