“Unë, i ngujuar pasi nuk zbatohet Kanuni”

20/06/2012 19:50

Një i ngujuar prej shtatë vitesh për arsye gjakmarrje, tregoi në një lidhje të drejtëpërdrejtë telefonike kalvarin e vuajtjeve të tij, gjatë emisionit të “Pasdites”, dedikuar të mërkurën krejtësisht fenomenit të gjakmarrjes.

Ndërsa në Tiranë zhvillohej një tubim-homazh kundër gjakmarrjes që së fundmi i mori jetën një 17-vjeçareje dhe gjyshit të saj, Llesh Prenga dha dëshminë e tij rrënqethëse në “Top-Channel”.

“TCH” – Zoti Prenga, si ratë në gjak?
I ngujuari – Fillimisht, më lejoni të shtroj ngushëllimet e mia për familjen e viktimës. Në realitetit, 80% e problemeve të gjakmarrjes lindin nga persona që s’kanë arsim e kulturë dhe duan të zgjidhin gjithcka me forcë. Shumica dërrmuese as që e njohin vetë Kanunin për të cilin kryejnë vrasjet. Unë personalisht pata një përplasje me një bashkëfshatar dhe po të kishte pasur ndërhyrje momentale nga njerëzit e moshuar, konflikti do të zgjidhej. Ishte një gjë krejt e vogël, por në një muaj, tensioni u përshkallëzua. Kur viktima u paraqit pranë shtëpisë sime me sopatë në dorë, unë mora armën dhe e vrara. Kështu hyra në gjak.

“TCH” – Çfarë ndodhi me ju dhe familjen tuaj pas vrasjes?
I ngujuari – “Një nga djemtë e mi u plagos gjatë ngjarjes dhe e çuam në spital në Tiranë. Gruaja pësoi lindje të parakohshme. Unë u dorëzova në polici pas dy javësh. Fillimisht më dënuan me 10 vjet burg, apeli e uli në shtatë vjet e si përfundim bëra 53 muaj burg (4 vjet e pesë muaj). Para se të dilja nga burgu familja u largua nga Mirdita, për t’iu larguar gjaksit. Zumë një vilë në Lezhë, që të respektojmë edhe familjen tjetër, duke mos i qëndruar atje.

“TCH”  – Zoti Prenga, sa fëmijë keni dhe a marrin arsim ata?
I ngujuari:
Unë kam katër fëmijë, dy vajza dhe dy djem. Vajzën e madhe e kam në shkollë të lartë në Tiranë. Vajzën tjetër e kam këtu. Më frikë kam dy djemtë, që shkojnë në shkollën që e  kemi përballë shtëpisë të shoqëruar nga kushërinjtë. Pavarësisht rrezikut, fëmijët nuk duhet të rrinë pa arsim.

“TCH” – Keni pasur kontakte me familjen e hasmit?
I ngujuari:
Me thënë të vërtetën unë kam respekt edhe për familjen e hasmit. Ata më kanë bërë të qartë që mua nuk kanë ndërmend të më falin, por nuk e kanë prekur familjen time. Përsa më përket mua, s’kam çfarë bëj sepse është në fuqi mentaliteti i gjakut, por po të përdoret Kanuni, ai është një kod që i vë fre gjakmarrjes dhe jo e inkurajon atë.

“TCH” – A keni ndërmjetësuar për pajtim nëpërmjet institucioneve të ndryshme?
I ngujuari:
Po, unë po bëj dy vjet që i kërkoj institutit të pajtimit që të bëjmë një falje gjaku. Puna e institutit ka qenë e mirë dhe bashkë me priftin e zonës është arritur një marrëveshje e mirë. Shpresoj që të bëhet një pajtim sa më shpejt, në mënyrë që familja ime të eci më në fund pa frikë në rrugë e ky makth të përfundojë.

Top Channel