Itali, transporti i drogës, 4 shqiptarë në pranga

19/06/2012 19:35

107 kilogramë marijuhanë me një vlerë prej 300 mijë eurosh janë kapur nga policia e Bolonjës, e cila ka arrestuar edhe dy shtetas shqiptarë që po transportonin atë.

Drejtori i zyrës së luftës kundër narkotikëve konfirmoi se marijuhana e sekuestruar është e cilësisë shumë të lartë dhe i një varieteti me siguri i krijuar në  Hollandë.

Hipoteza është që ajo është sjellë nga Shqipëria, ku mendohet se ka filluar kultivimi i varieteteve më cilësore, për të plotësuar kërkesat e tregut, edhe atij italian.

Analizat kanë vërtetuar se modifikimi gjenetik ka çuar në krijimin e bimëve me përqëndrim të madh të principit aktiv që krijon efektin narkotik tek njeriu.

Po në zonen veriore të Italisë, në qytetin e Parmës, janë arrestuar dy shtetas shqiptare dhe nje moldav. Atyre u janë kapur 11 kilogramë heroine dhe kokainë, me një vlerë prej rreth një milionë euro.

Në të dyja operacionet janë ndjekur metoda tradicionale hetimi, ndjekje dhe përgjime që kanë çuar në zbulimin e furnizuesve dhe në sekuestrimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike të llojeve të ndryshme.

Top Channel