Llotaria, fituesi i paracaktuar

18/06/2012 19:35

Pas akuzave për bllokimin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën, një tjetër tender i qeverisë vishet me hije të forta skandali. Këtë herë bëhet fjalë për liçencën e llotarisë kombëtare, i cili u shpall zyrtarisht nga Ministria e Financave në datën 21 maj.

Por, përmes një letre dërguar kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Financave Ridvan Bode, njëra nga kompanitë pjesëmarrëse, grekja “Intralot”, akuzon Ministrinë e Financave se po ndjek proçedura të dyshimta për të favorizuar fitues të paracaktuar.

Në letrën që mban firmën e Konstandinos Antolopulos, drejtorit ekzekutiv, thuhet se përmes proçedurave që po ndjek, qeveria po kufizon konkurrencën.

E thënë më thjesht, kushtet e vëna nga qeveria shqiptare janë të tilla që kanë vizatuar paraprakisht firmën fituese dhe nuk lënë hapësirë për një garë të ndershme.

Në letrën e tij zoti Antonopulos shkruan: “Proçesi aktual po e kufizon konkurrencën duke vendosur kritere kualifikimi që janë unike në të gjithë botën, të cilat përjashtojnë thuajse gjithë kompanitë e afta dhe me eksperiencë në këtë fushë”.

Por, përtej dyshimeve për paracaktim fituesish dhe kufizim të qëllimshëm të konkurrencës, kompania greke në pronësi të biznesmenit Sokratis Kokalis thotë se tenderi po zhvillohet në kundërshtim me interesat e publikut dhe buxhetit të qeverisë, pasi qeveria ka vendosur një çmim qesharak.

“Për surpizën tonë të madhe kemi parë se në kriteret vlerësuese të tenderit nuk përfshihet tarifa e liçencës apo ndonjë element tjetër i çmimit. Në të kundërtën, tarifa është fiksuar në një nivel të ulët jashtë çdo arsyeje për një aset të tillë, nëse krahasohet me liçenca të ngjashme në gjithë botën. Unë mund t’ju garantoj ju se nëse do të përfshini çmimin në kriteret vlerësuese, buxheti juaj do të arkëtojë një shumë të ardhurash shumë më të madhe nga ajo që ju keni fiksuar aktualisht”, vijon letra e Antolopulos.

Në këto kushte, kompania greke, me eksperiencë në fushën e llotarive shtetërore, i kërkon qeverisë të shtyjë tenderin.

“Në përpjekje për të shmangur një proçes të fragmentarizuar që do të rezultojë me një numër mjaft të kufizuar ofertuesish si pasojë e kritereve të vendosura, dhe që do të sjellë humbje të konsiderueshme për buxhetin e qeverisë, unë do t’ju sugjeroja që ta shtynit tenderin dhe të rikonsideronit kriteret e vlerësimit dhe kualifikimit përmes një proçesi konsultimesh të hapur për publikun”, përfundon letra e Antolopulos.

Top Channel