Kontradiktat e aksidentit të Qafë-Krrabës

17/06/2012 11:40

Policia vendosi masën e arrestit në flagrancë për shoferin e autobusit që u rrëzua dje në Qafën e Krrabës, në rrugën drejt Elbasanit.

Prokuroria deklaroi se dëshmitë e pasagjerëve janë kontradiktore, ndaj grupi i hetimit tha se është në pritje të publikimit të ekspertizës, për të dhënë një version përfundimtar për ngjarjen.

Drejtuesi i autobuzit, Mit’hat Biçaku tha se një makinë 4×4, targën e të cilit nuk e kishte fiksuar, e përplasi në gomën e parë dhe më pas deklaroi se u godit në gomën e pasme.

Ndësa udhëtarët, sipas prokurorisë janë konfuzë në deklaratat e tyre, duke thënë që mjeti që u preu rrugën ishte ngjyre e bardhë ose e zezë.

Në këto kushte prokuroria deklaron se është në pritje të daljes së ekspertizës, e cila shpresohet të japë një informacion të saktë nese autobusi u godit apo jo nga një mjet.

Nga ana tjetër, nga policia ende nuk ka dale një version zyrtar për shkaqet e daljes së autobusit nga rruga, duke bërë që aksidenti të mbesë mister.

Autobusi me 35 aktivistë të “Aleancës Kuq e Zi”, dy prej të cilëve pësuan fraktura serioze, doli jashte rruge në vendin e quajtur “qershitë” në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, rreth orës 16 .00 të se shtunës.

Aleanca Kuq e Zi aludon për atentat me sfond politik

Një ditë pas deklaratave të liderit të Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiut, që kërkoi nga autoritetet hetim të menjëhershëm të ngjarjes, “AK” reagoi duke shprehur pakënaqësinë për ngadalësinë me të cilën po shqyrtohet aksidenti.

Në deklaratën për shtyp, “Aleanca” aludonte se ngjarja mund të ketë një sfond politik. “Makinat “Range Rover” me targa TR-A rezultojnë të jenë të institucioneve shtetërore”, shkruhej në deklaratë.

Midis të tjerave, mund të lexohej: “Jemi të shqetësuar për punën e ngadaltë të policisë. Autoritetet nuk kanë identifikuar mjetin që shkaktoi aksidentin dhe për zbardhjen e rrethanave të tij kemi nisur hetimet privatisht”.

Top Channel