Fier, sulmohen depozitat e naftës

17/06/2012 00:00

Sipas Institutit të Gjeofizikës, tre termete u regjistruan mëngjesin e së dielës në rajonin e Fierit, me një fuqi nga 3 deri në 3.4 të shkalles Rihter.

Por banorët e fshatit Zharrëz, një nga zonat naftënxjerrëse, kanë menduar se lëkundjet janë shkaktuar nga shpimet e kompanisë Bankers Petrolium dhe në mëngjes kanë sulmuar kompaninë e naftës.

Një grup prej tyre në mënyrë të organizuar sulmuan në mëngjes depozitat e dekantimit të naftës bruto duke derdhur në tokë një sasi prej 1 mijë ton dhe duke shkaktuar ndotje në mjedis dhe duke kërcënuar me zjarrvënie.

Në këtë situate kritike u njoftua policia e cila shkoi në vendin e ngjarjes me rreth 100 forca, duke rrethuar vendin dhe duke shmangur një tragjedi të vërtetë. Ndërkohë që shoqëroi dhe disa persona me akuzën e shkatërrimit të pronës. Por banorët e zonës janë të bindur se këto janë shpërthime të ndodhura nga vetë kompania e huaj që ka në pronësi puset.

“Lëkundjet ishin shumë të fuqishme dhe thamë se na zunë shtëpitë brenda. Se cfarë janë? Këtë duhet ta gjejë shteti dhe shkakun. Kemi 3 muaj. Sot kanë qenë dy lëkundje të vetme mbi 5 ballë. Janë shpërthime nëntokësore të firmës dhe kjo nuk bëhet fjalë”, thonë banorët.

I kontaktuar me telefon Drejtori i Përgjithshëm i Kompanisë “Bankers Petrolium” Leonidha Çobo u shpreh se këto kanë qenë tre tërmete dhe jo shpërthime të kompanisë. Ai thotë se kompania po punon për sistemimin e kësaj masakre mjedisore.

Ndërsa deputeti i zonës, Armando Subashi mbështeti veprimet e banorëve duke thënë se reagimi i tyre është i ligjshëm.

“Është për të ardhur keq sepse sikur të mos mjaftonte gjithë kjo rrugë e shkatërruar, gjithë kjo ndotje mjedisore për të gjithë këta njerëz, sikur të mos mjaftonin vuajtjet e naftëtarëve, papunësia dhe nxjerrja në rrugë e gjithë këtyre familjeve, këta banorë duhet të kenë edhe shpërthimet që ndodhin në 3 dhe 4 të mëngjesit”, deklaroi deputeti socialist, Armando Subashi.

Në vendin e ngjarjes ka nisur puna për mbledhjen e naftës bruto të shpërndarë në tokë dhe pastrimin e territorit për të shmangur ndotjen e mëtejshme të mjedisit si dhe për të eliminuar mundësinë e zjarrit.

Top Channel